Nga Ali Demirtas “National Interest”
Përplasja e fundit midis presidentit turk Erdogan dhe 10 vendeve perëndimore, mbi çështjen nëse Turqia duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për lirimin e Osman Kavalës, apo nëse ambasadorë kanë shkelur nenin 41 të Konventës së Vjenës, është kryesisht një çështje teknike që na pengon të shohim tablonë e plotë.
Ajo që duhet mbajtur parasysh në këtë rast, nuk është domosdoshmërisht nëse Erdogan do t’i dëbojë apo jo ambasadorët e këtyre vendeve, por nëse ai mund ta bëjë një kërcënim të tillë të paprecedentë pa pasur pasoja. Në fakt, në një lëvizje që është parë nga disa si një tërheqje e SHBA-së dhe “një fitore e madhe për Erdogan”, Uashingtoni u zotua menjëherë se do të respektonte punët e brendshme të Turqisë.
Nga ai që tanimë quhet incidenti “Një minutësh” – koha kur Ergodan kritikoi publikisht presidentin e ndjerë izraelit Shimon Perez për sulmin izraelit në Gaza – deri tek inkursioni ushtarak i Turqisë në Burimin e Paqes në Siri, vetëm disa minuta pasi mori një letër fyese nga Donald Trump, Erdogan ka mbetur i gatshëm që ta sfidojë Perëndimin përmes një politike të jashtme të pavarur, e cila pohon se “bota është më e madhe se 5 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Gjatë dekadës së fundit, është shfaqur një model i qartë:politika e jashtme gjithnjë e më e pavarur e Erdogan, është përballur me një kundërshtim në rritje nga ana e Perëndimit. Për shembull, Uashingtoni u përpoq për 17 muaj të bindte Turqinë që të hiqte dorë nga sistemi raketor rus S-400.
Kur dështuan këto përpjekje, Shtetet e Bashkuara u detyruan që të vendosin sanksione ndaj Turqisë përmes Aktit për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA) në dhjetor 2020. Gjithsesi Uashingtoni zgjodhi një ndëshkim të butë për Ankaranë(u zbatuan vetëm 5 nga 12 pikat e sanksioneve që parashikon ligj), për të mos dëmtuar shumë marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Turqi.
Departamenti Amerikan i Shtetit, siguroi që sanksionet “nuk synojnë të minojnë aftësitë ushtarake apo gatishmërinë luftarake të Turqisë”, dhe se ato “nuk zbatohen për degët e Ministrisë turke të Mbrojtjes”. Turqia jo vetëm që nuk ka qenë e shqetësuar nga CAATSA, por Erdogan njoftoi në shtator blerjen e mundshme të më shumë sistemeve S-400 nga Rusia. Në anën tjetër të Atlantikut, Bashkimi Evropian nuk mundi që të binte dakord për një embargo armësh të kërkuar me ngulm nga dyshja Francë-Greqi pas sulmit të Turqisë në Siri në tetorin e vitit 2019.
Për më tepër, lutjet e dëshpëruara të Greqisë drejtuar Brukselit, për të vendosur sanksione ndaj Turqisë për shpimet për hidrokarbure në zonat që Greqia dhe Qipro i pretendojnë si zonat e tyre ekskluzive detare, u refuzuan nga Gjermania, Spanja, Italia, Hungaria dhe Malta.
Por pse Perëndimi është gjithnjë e më i paaftë që të ndikojë në politikë-bërjen e brendshme dhe të jashtme të Turqisë? Përgjigja është se rënia e përgjithshme e Perëndimit, ka krijuar një mjedis të favorshëm që Turqia të fillojë të zgjidhë një sërë çështjesh të mbetura pezull prej dekadash, duke përfshirë aktet terroriste të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, mosmarrëveshjen detare në Egje, dhe konfliktin mbi rajonin e Nagorno-Karabakut.
Dekada e fundit ka treguar një rënie të shpejtë ekonomike, sociale dhe politike të demokracive perëndimore. Ndikimi i qëndrueshëm i krizës së rëndë financiare të vitit 2008, stanjacioni i qëndrueshëm, rritja e ulët ekonomike, papunësia e vazhdueshme, plakja dhe rënia e popullsisë i kanë bërë shumë të brishta të gjitha ekonomitë.
Në SHBA, rënia ekonomike reflektohet nga paketat stimuluese të nxitura nga qeveria, që janë rritur nga 800 miliardë dollarë në vitin 2009, në 3.5 trilion dollarë këtë vit. Pandemia e Covid-19, ka nxjerrë akoma më shumë në pah dobësitë e Perëndimit.
Skenat e morgjeve të tejmbushura, trupat e ruajtura në kamionët figoriferikë në Nju Jork dhe në vendet anëtare të BE-së, apo sekuestrimi i dërgesave me maska për të dëmtuar njëri-tjetrin, zbuloi dobësitë e vendeve të pasura perëndimore në kohë krize.
Fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve në të dyja anët e Atlantikut, shkaktoi ringjalljen e populizmit dhe ngjitjen në pushtet të liderve autoritarë, duke kërcënuar vlerat demokratike. Anëtarët lindorë të BE-së, janë bërë gjithnjë e më sfidues ndaj mandatit mbi-kombëtar të Brukselit.
Liria e lëvizjes në BE, nuk është më aq e lirshme sa dikur. Frika ishte aq e madhe, saqë e detyroi Londrën të shkëputet nga BE-ja, për hir të vendimmarrjes së saj sovrane. Ndarja Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug në BE nuk ka qenë kurrë më e madhe sesa sot, diçka ironike po të kihet parasysh se motoja e unionit është “ In varietate concordia ” (Të bashkuar në diversitet).
Nga ana tjetër kriza ekonomike dhe politike, shkaktoi trazira sociale në të gjithë botën perëndimore. Nga trazirat e lëvizjes “Black Lives Matter” deri tek masakrat dhe “përpjekja për grusht shteti” e 6 janarit 2021 në Capitol Hill, Shtetet e Bashkuara po projektojnë tani imazhin e një vendi të botës së tretë, në krahasim me fanarin e demokracisë, dhe atë të një superfuqie të begatë.
Problemet ekonomike dhe sociale në vend, kanë nxitur në mesin e votuesve amerikanë thirrjet për ta vënë në plan të parë demokracinë dhe ekonominë amerikane, gjë që i ka detyruar politikë-bërësit amerikanë të adaptojnë një politikë të jashtme të ndrojtur dhe jo shumë të prirur ndaj ndërmarrjes së veprimeve që bartin rreziqet e tyre.
Nënprodukti i kësaj neverie ndaj rrezikut është izolacionizmi i ri amerikan, që shpjegon edhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Mesme, Mesdheu Lindor, Kaukazi Jugor dhe Azia Qëndrore. Kjo qasje është arsyeja kryesore që solli largimin e bujshëm nga Afganistani.
Po kështu, në Evropë, recesioni ekonomik në mbarë bllokun, papunësia dhe shpërthimi i trazirave sociale i kanë detyruar politikë-bërësit evropianë të fokusohen më shumë tek vendet e tyre, duke krijuar ndjenjën e izolimit të vetë Evropës.
Erdogan ka qenë i aftë që t’i përdorë në avantazhin e Turqisë trazirat e Perëndimit dhe paaftësinë e tij për të ndikuar mbi çështjet botërore. Me industrinë e saj të mbrojtjes gjithnjë në rritje, dhe përmes një udhëheqje të vendosur, Turqia e ka forcuar ndikimin në Libi, Afrikën Perëndimore dhe Kaukazin Jugor kundër Francës, në Siri kundër Shteteve të Bashkuara dhe në Mesdheun lindor dhe Qipro kundër Greqisë.
Është vërtetuar herë pas here se sa më shumë që Uashingtoni dëshiron ta dëmtojë Erdoganin, aq më fort kundërpërgjigjet ky i fundit. Në sfondin e rënies së ndikimit global perëndimor, do të jetë mirë që politikë-bërësit në Uashington dhe Bruksel ta pyesin veten:“A është një vendim i mençur të përballesh njëkohësisht me Kinën, Rusinë dhe Turqinë?”.
Ndoshta ka ardhur koha që politikë-bërësit perëndimorë të zhvillojnë një bisedë të sinqertë me Turqinë, anëtaren e NATO-s dhe kandidaten e BE-së, dhe të kuptojnë problemet e vjetra të Turqisë. Perëndimi do të ketë përfitime duke bashkëpunuar ngushtë me Turqinë, dhe jo duke e luftuar atë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al