Pasojat e humbjes së qëllimeve të mira

schedule10:58 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 10:58 - 7 Dhjetor, 2021

Nga Agim Baçi
“Aty ku mungon qëllimi, mungon edhe vetë njerëzimi”, shkruante Niçe, duke paralajmëruar pasojat e një shoqërie pa ideale. Por çfarë mund ta shkaktojë humbjen e qëllimit te një njeri? Padyshim, një nga treguesit më të prekshëm të humbjes së qëllimeve është marrëdhënia jonë e krisur me të djeshmen dhe të nesërmen, e cila zhduk perspektivën morale të veprimeve tona.

Kjo krisje me të djeshmen dhe të nesërmen tonë ka sjellë sot një realitet ku kemi gjithnjë e më pak falënderues ndaj përvojës dhe urtësisë që na vijnë nga kohërat, e njëkohësisht kemi edhe më pak që besojnë se kanë detyrime për të nesërmen.

Por, çfarë ndodh sot realisht në shoqëri kur humb kjo urë mes të djeshmes dhe të nesërmes? Në një anë, janë me mijëra raste ku gra e burra, anekënd botës, por edhe në Shqipëri, refuzojnë të martohen e të bëhen prindër, duke pranuar gati hapur se e bëjnë këtë zgjedhje për të ruajtur profesionin apo linjat e trupit, duke hequr dorë kështu nga përgjegjësia për vijimin e jetës, për të nesërmen. Ndërkohë që, në anën tjetër, marrëdhënia me të moshuarit, pra me të djeshmen, është gjithnjë e më pak humane, gjithnjë e më pak mirënjohëse për atë që na kanë përçuar përmes jetës dhe përpjekjeve të tyre për të na ushqyer dhe edukurar neve.

Kështu, njeriu i sotëm, i gjendur me duar të shkëputura nga e djeshmja dhe e nesërmja, rrezikon t’i kthehet vetëm rëndësisë së trupit, pra ta kthejë trupin në epiqendrën e vetme me rëndësi dhe kuptim për jetën e tij. Për pasojë ai rrezikon të kthehet në produkt të dëshirave dhe instinkteve, e si i tillë edhe një njeri që mund të marrë çdo lloj rrjedhe që i jepet nga rrethanat.

Një qenie e tillë e konsideron detyrë që të shkallmojë rregullat, të mos ngushtohet me arsyetime e qëndrimeve morale, por të ndjekë dëshirat e tij, të kujdeset për trupin e tij dhe, mbi të gjitha, të mos ketë turp për asgjë që bën dhe kërkon.

Nga ana tjetër, njeriu që ka kujdes veç për trupin, pra që beson se instinkti është vlera më e madhe njerëzore, është gati të notojë qetësisht në detin e manipulimit, duke iu dhënë asaj që i kërkohet të jetë, e jo asaj që mund të jetë realisht. Qëllimi në këtë rast e humb kuptimin, e për pasojë, njerëzimi ka gjithnjë e më pak ura ku mund të kalojë për tek ëndrrat e tij apo tek besimi për tjetrin.
Këtë njeri të dashuruar pas së menjëhershmes dhe paraqitjes së tij fizike e përdor në mënyrë të vazhdueshme propaganda, e cila përmes një njeriu të tillë ka ndryshuar semantikën e autoritetit dhe autoritares në shoqëri.

Kështu, propaganda shfrytëzon përgjithësisht autoritetet që i sjell në jetë shoqëria e spektaklit dhe “të fortët”, pra ata që mbështeten te fuqia, te paraja dhe paraqitja fizike e jo te dija e urtësia. Mjafton të shohësh në Shqipëri se sa peshë kanë fjalët e akademikëve, pedagogëve dhe shkrimtarëve, dhe sa kanë peshë ata të botës së spektaklit. Për të provuar humbjen e autoritetit racional, do të ishin të mjaftueshme vetëm disa kërkime në internet, për të parë klikimet, ku “njeriu i dijes” është krejt i pafuqishëm përballë “divave të ekranit” që broçkullisin gjëra të cilat rinia dhe një pjesë e madhe e shoqërisë i përsërit papushim në komunikimin e tyre.

Edhe po t’i hedhësh një sy fushatave elektorale në Shqipëri, mund të verifikosh lehtësisht se kandidatët kanë me vete në fushatë, në komunikimin me publikun, vetëm artistë të spektakleve e jo profesorë apo profesionistë të fushave që njohin qytetin, siç do të ishin urbanistët apo inxhinierët. Këta aktorë të spektaklit e shokojnë njeriun e zakonshëm i cili nuk ka ndonjë fuqi të kundërshtojë këtë “autoritet”, apo të bëjë dallimin se çfarë do të ishte më mirë të dëgjonte.

Sepse spektakli zvogëlon fuqinë shpirtërore dhe shmang komunikimin sy më sy të njerëzve, duke e kthyer audiencën vetëm në një masë që mendon me pikturën që i paraqitet dhe jo atë që është apo atë që dëshiron të shohë. Te një njeri i tillë e vërteta hyjnore dhe vlerat tradicionale janë zëvendësuar me të vërtetën individuale, ndaj dhe një njeri i i tillë mjaftohet me atë që i sugjerohet, pa kërkuar asnjë ndryshim, pa medituar rreth asaj që i sugjerohet.

Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të saj, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet.

Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin apo edhe urrejtjen. Propaganda, fakeqësisht, e fokusuar te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë, pasi për propagandën nuk vlen as e djeshmja e aq më pak që të dimë të ëndërrojmë për të nesërmen.

Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri ku e vërteta lidhet vetëm me atë që funksionon para syve, me atë që na gëzon apo hidhëron sot, nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi.

Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, të paktën shpirtërisht. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!