Pasojat e barazimit të euros me dollarin

schedule21:16 - 12 Korrik, 2022

schedule 21:16 - 12 Korrik, 2022

Vlera e euros u barazua të martën me atë të dollarit amerikan, për herë të parë në gati 20 vjet.

Disa pasoja konkrete të kësaj rënieje të vlerës së euros janë:

– në inflacion dhe në fuqinë blerëse

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave, Eurostat, gati gjysma e të gjitha mallrave të importuara në Eurozonë janë të faturuara në dollarë, ndërsa më pak se 40 për qind në euro.

Nafta dhe gazi, për shembull, tradicionalisht paguhen me dollarë dhe çmimi i këtyre dy produkteve është rritur në muajt e fundit, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kjo do të thotë se do të nevojiten më shumë euro për të paguar një sasi ekuivalente të produkteve në dollarë.

“Mallrat e importuara bëhen më pak konkurruese, konkurrojnë kundër njëra-tjetrës dhe për këtë arsye bëhen më të shtrenjta” – gjë që rrit inflacionin dhe gërryen fuqinë blerëse të familjeve, thotë Isabelle Mejean, profesoreshë në Universitetin Sciences Po.

Një efekt specifik i rënies së euros kundër dollarit është se ai “do të zvogëlojë turizmin evropian në SHBA, sidomos”, thotë William De Vijlder, ekonomist në agjencinë bankare, BNP Paribas.

Kjo, për faktin se vizitorët evropianë do të duhet të shpenzojnë më shumë euro për të blerë shumën ekuivalente në dollarë. Një gjë e tillë rrit koston e përgjithshme të udhëtimit të tyre në SHBA, por edhe në vende të tjera, monedhat e të cilave janë të lidhura me dollarin, si për shembull: Katari apo Jordania.

Për dallim nga ta, vizitorët në Evropë nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Jordania do të përfitojnë nga kursi i këmbimit, pasi me dollarët e tyre mund të blejnë më shumë se më parë në Eurozonë.

– në biznese

Efekti i rënies së vlerës së euros dallon, varësisht asaj se sa i varur është një biznes nga tregtia e jashtme dhe energjia.

“Kompanitë që eksportojnë jashtë zonës së euros, përfitojnë nga rënia e euros, sepse çmimet e tyre bëhen më konkurruese” kur konvertohen në dollarë, thotë Philippe Mutricy, drejtor kërkimesh në bankën Bpifrance.

“Për dallim prej tyre, bizneset e orientuara nga importi janë në disavantazh”, thotë ai.

Në rastin e zejtarëve lokalë, të cilët varen nga lëndët e para dhe energjia, por eksportojnë pak, euroja e dobët mund të çojë në një shpërthim të madh shpenzimesh.

Fituesit më të mëdhenj nga rënia e kursit të këmbimit të euros janë sektorët e prodhimit të orientuar nga eksporti, si për shembull: industria e hapësirës ajrore, automobilave, mallrave luksoze dhe kimikateve.

Dhe, lojtarët kryesorë janë “më mirë të përgatitur ndaj goditjeve”, pasi mund të mbrohen nga luhatjet e këmbimit, thotë Mutricy.

“Ata blejnë valutë të huaj paraprakisht, me norma të favorshme, për t’u mbrojtur nga luhatjet e mprehta të kursit të këmbimit”, shpjegon ai.

– në rritjen ekonomike dhe borxhe

Rënia e vlerës së euros i bën çmimet jashtë Eurozonës më konkurruese – teorikisht i jep shtytje eksportit të mallrave dhe shërbimeve evropiane jashtë vendit.

Por, efekti pozitiv mund të zvogëlohet nga rritja e çmimeve të mallrave – si rezultat i luftës në Ukrainë – sidomos në ekonomitë e orientuara nga eksporti, të tilla si Gjermania.

Efekti në shlyerjen e borxheve, ndërkaq, është më pak i qartë.

Sa më i shpejtë të jetë ritmi i rritjes ekonomike, aq më shpejt një vend mund të shlyejë borxhin e tij, thotë Mejean nga Universiteti Sciences Po, në Paris. Por, vetëm me kushtin që tregjet financiare e konsiderojnë borxhin evropian mjaftueshëm të sigurt dhe normat e interesit mbeten të ulëta.

Për vendet që lëshojnë borxhe në dollarë, rënia e vlerës së euros kundër dollarit rrit koston e shlyerjes së borxheve.

– në Bankën Qendrore Evropiane

Duke rritur inflacionin, rënia e euros mund ta shtyjë Bankën Qendrore Evropiane (BQE) që t’i rrisë më shpejt normat e interesit. Ajo po përgatitet t’i shtrëngojë kostot e huamarrjes në korrik, për herë të parë në 11 vjet.

“Mund të thuash se BQE-ja nuk do të reagonte ndaj rritjes së çmimeve të mallrave, por sfida e rifitimit të kontrollit mbi inflacionin rritet, pasi kursi i këmbimit rrit çmimin e importeve”, thotë De Vijlder.

Banka e Francës ka thënë në fund të majit se dobësimi i euros mund t’i komplikojë përpjekjet e BQE-së për të zbutur inflacionin./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!