Joana Opari është maturante në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ajo është nxënëse me rezultate shume të mira, ndërsa spikat në kimi, ku ka fituar çmime në olimpiada të ndryshme. Thotë se pasioni për këtë fushë ka ardhur tek ajo si pjese e historisë familjare.
“Jo vetëm në vit të parë por edhe në 9 vjeçare kam qenë e intriguar nga çdo gjë e re ne kimi. Jam nxitur edhe nga shkolla, por edhe nga familjarët e mi sepse gjyshi ka qenë kimist. Unë gjyshin nuk kam arritur ta njoh, por arritjet që ai ka pasur në këtë fushë më nxisin të vazhdoj në këtë fushë.“, thotë ajo
Joana e sheh veten si kimiste në të ardhmen, ndërsa tregon se çfarë e tërheq kaq shumë në këtë fushë.
“Është diçka që ne me sytë të lirë nuk e arrijmë. Mund të synojmë sa të duan ta shohim por nuk e arrijmë. Kur lexon, kur shikon në mikroskop, dallohet menjëherë që është diçka madhështore”, shton Joana.
Erik Kërçiku është një tjetër nxënës i shkëlqyer. Eriku është fituas i olimpiadave kombëtare në matematikë dhe informatikë, ku eshte vlerësuar me medalje nderi. Në olimpiadën ballkanike ka përfaqësuar Shqipërinë.
“Që i vogël më ka tërhequr shumë matematika dhe fiizka. Është një ndjesi shumë e mirë kur zgjidh një ushtrim të vështirë.“, tha Eriku.
Ndonëse dy fusha që lidhen së bashku, mes matematikës dhe informatikës, Eriku ka zgjedhur këtë të fundit për të vazhduar studimet.
“Në të ardhmen dua të bëhem informaticion dhe programues. Janë dy lëndë që kanë lidhje me njëra tjetrën, por meqë informatika është pjesë e së ardhmes, zgjodha informatikën. Më shumë më tërheq fusha e programimit. Projekte të ndryshme po kam realizuar. Inteligjenca artificiale më ka ndihmuar.“, shton Eriku.
Ndryshe nga dy shokët e tij, Mikel Boriçi ka shkëlqyer në shkencat shoqërore. Ai ka fituar olimpiadën e historisë.
“Që i vogël filloja të shihja dokumentar, nxitur edhe nga babai im, ai është akademik dhe ka qenë idhull për mua. histria kërkon memorie të kalitur për mbajtjen mend data të rëndësishme që kanë lënë gjurmë, apo emrat e mbretërve. Çelësi i suksesit në histori është të kuptuarit së logjikës së rrjedhës së ngjarjeve. Pra nuk duhet mësuar përmendësh.”, shprehet Mikeli.
Mikeli dëshiron që një ditë të jetë historian dhe thotë se ka zbuluar edhe çelësin e suksesit.
“Një vend mëson nga gabimet e së shkuarës nga historia, për t’i mos i përsëritur më në të shkuarën, ky është çelësi i suksesit.“, përfundon ai./abcnews.al


