Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pashkët katolike, Begaj nga Lezha: Joo ditë e shenjtë të sjellë paqe, shpresë dhe bekime

schedule16:30 - 5 Prill, 2026

schedule 16:30 - 5 Prill, 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët katolikë dhe ungjillorë për festën e Pashkës, që për ta shënon Ringjalljen e Krishtit.

Në simbolikën e kësaj dite të shenjtë, Presidenti Begaj theksoi se Pashka është besimi se e mira fiton mbi të keqen, mundimi mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën.

Kreu i Shtetit zhvilloi një vizitë në kishën e Shëngjinit, ku u prit nga Dom Angjelin Krygja, besimtarë dhe personalitete të Lezhës, të cilëve u shprehu mirënjohje për rolin e komunitetit katolik në forcimin e vlerave kombëtare dhe shoqërore.



“Nga Kisha e Shëngjinit në Lezhë, në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, dua t’u përcjell të gjithë shqiptarëve që festojnë sot urimet e mia më të përzemërta për paqe, shpresë dhe bekim! – u shpreh Presidenti i Republikës, i cili theksoi rëndësinë e mesazhit të kësaj dite.

Vizita në kishën e Shëngjinit, përkoi me një moment të veçantë, atë të bekimit të Atit të Shenjtë, Papa Leoni, “Urbi Et Orbi” nga Vatikani. Papa u shfaq në ballkonin e Sheshit Shën Pjetër bashkë me Kardinalin shqiptar Dom Ernest Troshani, dëshmi e gjallë e katolicizmit shqiptar, ceremoni të cilën Presidenti Begaj e ndoqi live në kishë bashkë me besimtarët katolikë të Shëngjinit.

Më pas Presidenti i Republikës përcolli urimin e tij për Pashkën:

“Pas mesazhit Urbi Et Orbi të Papa Leonit në praninë e Kardinal Troshanit, një mesazh i dhënë nga unë nuk është në lartësinë e atij të dhënë nga Papa Leoni, por unë do të mundohem të jap mesazhin tim për të gjithë të pranishmit këtu, për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të shenjtë:

“Gëzuar Pashkën!

Uroj për të gjithë besimtarët që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, shpresë dhe bekime për çdonjërin dhe për familjet e tyre!

Kjo ditë e shenjtë na bën të kemi një reflektim të thellë, reflektim të thellë shpirtëror, dhe një kujtesë të fortë që e mira mbizotëron mbi të keqen dhe dashuria dhe sakrifica do të mbizotërojnë në jetët tona.

Mesazhi i kësaj dite të shenjtë, i ringjalljes dhe dritës, është një mesazh i fortë, i cili na bën të kujtojmë se duke qenë bashkë, duke qenë solidarë, do të punojmë më shumë për të përmirësuar jetën tonë, për të pasur më shumë begati në familjet tona, dhe pse jo, për të pasur një shoqëri më të fortë e më të begatë.”

“Shqipëria, – theksoi Kreu i Shtetit – është një shembull i harmonisë fetare, ku besimi dhe respekti për njëri-tjetrin janë themel i ruajtjes së dinjitetit dhe i bashkëjetesës sonë”.

“Qoftë kjo festë një burim force dhe besimi për çdo familje shqiptare!” – uroi Presidenti i Republikës nga Kisha e Shëngjinit në Lezhë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!