Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pas tre muajsh ndërprerjeje totale, rikthehet interneti në Iran

schedule22:00 - 26 Maj, 2026

schedule 22:00 - 26 Maj, 2026

Pas gati tre muajsh ndërprerjeje totale, interneti ka nisur të rikthehet gradualisht në Iran. Lajmi u konfirmua nga zëvendëspresidenti i parë i vendit, Mohammad Reza Aref, i cili deklaroi se është bërë “hapi i parë drejt aksesit të lirë dhe të rregulluar në hapësirën kibernetike”.

Sipas grupeve ndërkombëtare që monitorojnë internetin, Netblocks dhe Kentik, rikthimi i shërbimit ka qenë vetëm i pjesshëm, ndërsa shumë rrjete në vend vijojnë të mbeten jashtë funksionit.

Qeveria iraniane bllokoi internetin më 28 shkurt, pas nisjes së sulmeve amerikane dhe izraelite. Autoritetet iraniane argumentuan se masa ishte marrë për të parandaluar spiunazhin, mbikëqyrjen dhe sulmet kibernetike. Kjo konsiderohet një nga ndërprerjet më të gjata kombëtare të internetit të regjistruara ndonjëherë.



Banorë të Teheranit raportuan se kanë mundur të lidhen sërish me internetin nëpërmjet rrjeteve shtëpiake WiFi. Një krijues përmbajtjeje për BBC-në tha se rikthimi i internetit do t’i mundësojë rifillimin e një pjese të të ardhurave të tij.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rikthimi mund të mos jetë i plotë apo i qëndrueshëm. Drejtoresha e kërkimeve në Netblocks, Isik Mater, deklaroi se në raste të mëparshme rikthimi i internetit në Iran ka ardhur me kufizime më të forta dhe kontrolle më të rrepta nga autoritetet.

Ndërprerja e fundit erdhi vetëm një muaj pasi Irani kishte rifituar akses të plotë në internet, pas një tjetër bllokimi të vendosur gjatë protestave antiqeveritare në janar.

Ndërkohë, tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve mbeten të larta. Teherani dënoi sulmet e fundit amerikane, duke i cilësuar si “shkelje të rëndë” të armëpushimit të arritur më 8 prill.

Nga ana tjetër, SHBA-të deklaruan se kishin goditur baza raketore iraniane dhe mjete lundruese që po përpiqeshin të vendosnin mina në jug të Iranit, në atë që Uashingtoni e quajti “sulme vetëmbrojtëse”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!