Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pas tensioneve në Venezuelë, Papa Leoni takon lideren e opozitës venezuelane në Vatikan

schedule14:46 - 12 Janar, 2026

schedule 14:46 - 12 Janar, 2026

Vatikani bëri të ditur se të hënën 12 janar 2026, Papa Leoni XIV ka zhvilluar një takim me lideren e opozitës venezuelane dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedës. Takimi u përfshi në axhendën zyrtare të Papës për ditën e hënë, të publikuar në buletinin e përditshëm të Selisë së Shenjtë, por nuk ishte përmendur në një njoftim të mëparshëm për shtyp lidhur me programin e tij ditor.

Ditët e fundit, pas operacionit që çoi në kapjen e presidentit venezuelan Nicolás Maduro, Papa Leoni XIV ka bërë thirrje që Venezuela të mbetet një vend i pavarur. Në një fjalim të rëndësishëm mbi politikën e jashtme, të mbajtur të premten, Ati i Shenjtë dënoi përdorimin e forcës ushtarake si mjet për arritjen e qëllimeve diplomatike dhe kërkoi respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Venezuelë.

Maria Corina Machado, ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, ishte përjashtuar nga kandidimi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 nga autoritetet e regjimin e Maduros. Pas këtij vendimi, ajo mbështeti një kandidat alternativ, i cili nga shumë vëzhgues u konsiderua fitues i zgjedhjeve, pavarësisht pretendimit për fitore nga ana e Maduros.



Vizita e Machado-s në Vatikan përkoi me ditën e lirimit të Alberto Trentinit dhe Mario Burlòs, përkatësisht punonjës humanitar nga Veneto dhe sipërmarrës nga Piemonte, të cilët kishin qenë të ndaluar në Venezuelë për 423 ditë. Lajmi për lirimin e tyre u konfirmua në orët e paradites nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Ndërkohë, liderja e opozitës venezuelane pritet të zhvillojë një takim «të martën ose të mërkurën» me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Lajmi u bë i ditur nga vetë presidenti amerikan, i cili megjithatë ka deklaruar se “përjashton mundësinë që Machado të ketë një rol udhëheqës në Venezuelë”.

Takimi i Machado-s me Papën dhe kontaktet e saj në Shtetet e Bashkuara vijnë në një moment delikat për Venezuelën, e cila po përballet me tensione të thella politike, ndërkombëtare dhe institucionale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në vend.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!