Pas të vëllait tjetër braktisje për Johnson

schedule12:18 - 8 Shtator, 2019

schedule 12:18 - 8 Shtator, 2019

Një tjetër ministre ka braktisur kabinetin e Boris Johnson, në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për ministren e Punës dhe Pensioneve, e cila ka kritikuar kryeministrin për qasjen e tij ndaj Brexit.

Amber Rudd është figura e radhës që braktis qeverinë britanike të Boris Johnson. Ministrja për Punën dhe Pensionet ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj sulmeve që sipas saj po u bëhen konservatorëve të moderuar.

Gjithashtu ajo ka deklaruar se nuk beson se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja me një marrëveshje është prioritet i qeverisë. Zonja Rudd e cilësoi dëbimin e 21 ligjvënësve konservatorë ditën e martë si një sulm ndaj demokracisë.

Në reagimin e saj, Downing Street deklaroi se ndihej e zhgënjyer nga dorëheqja e një ministreje të talentuar. Largimi i saj vjen në një kohë kur kryeministri Johnson po konsideron të sfidojë një ligj të ri që e detyron të kërkojë një shtyrje të re të Brexit, nëse ai dështon të paraqitet me një marrëveshje të re brenda datës 19 Tetor.

Një burim pranë qeverisë britanike ka deklaruar për “Sunday Times” se, nëse nuk do të ketë një marrëveshje brenda kësaj date mazhoranca do ta sabotojë shtyrjen e Brexit.

Ndërkohë, në një shkrim në “Mail on Sunday”, zoti Johnson bëri me dije se do t’i ofrojë liderit të laburistëve Jermy Corbin një shans të fundit për të rënë dakord për zgjedhje të parakohshme, një taktikë kjo për të shmangur detyrimet që rrjedhin nga ligji.

“Dhe nëse ai refuzon, qeveria thjesht do të vazhdojë punën”, tha Johnson. Ai shtoi se do të punojë pa u lodhur për një marrëveshje, por shtoi se qeveria do të përgatitet të largohet nga BE-ja më 31 tetor “çfarëdo që të ndodhë”./ABC News Albania 24/7