Presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë i vetëm një konferencë për media, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Biden ka zgjedhur të mbajë një konferencë vetëm, pasi në këtë mënyrë do të ketë mundësi që përmes “një formati të duhur të komunikojë më qartë me median lidhur me temat që janë diskutuar në takim”.
Kjo sigurisht ka shumë dallime në krahasim me takimin e Putin me paraardhësin e Bidenit, Donald Trump, në Helsinki më 2018. Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Trump doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Putinin, duke mbrojtur Rusinë pas vlerësimeve të inteligjencës amerikane se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale më 2016.
Biden do të takohet me Putinin në 16 Qershor në Gjenevë. Putin, i cili ka qëndruar në krye të Rusisë që kur Boris Jeltsin dha dorëheqjen në 1999, tha përpara takimit se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin në nivelin e tyre më të ulët.
Biden ka thënë nga ana tjetër se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë një konflikt me Rusinë, por se Uashingtoni do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse Moska përfshihet në aktivitete të rrezikshme./abcnews.al