Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll për qarkullim për automjete më 10 janar, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, thanë autoritetet.
Policia e Kosovës tha se segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, është mbyllur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, “për një kohë të caktuar”.
“Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës. Mëngjesin e 10 janarit, Kosova është përballur me reshje të shiut, teksa Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paraparë që më vonë gjatë ditës, me ujen e temperaturave, të ketë edhe reshje bore.
Ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të shiut, disa zona në Kosovë u përballën me vërshime që shkaktuan dëme në pronat private dhe në infrastrukturën rrugore. Po ashtu, për shkak të vërshimeve, disa zona kanë pasur probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm, teksa Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtyjë për 12 janar rinisjen e vitit shkollor pas pushimit dimëror./rel


