Pas rastin në Luboten, reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut

schedule15:20 - 26 Qershor, 2019

schedule 15:20 - 26 Qershor, 2019

Pas operacionit të një dite më parë në fshatin Luboten të Shkupit, Policia Financiare u shpreh se duhani i konfiskuar do të shkatërrohet, por buxheti i shtetit ka pësuar humbje prej 7.5 milionë eurosh. Për këtë arsye ka pasur reagime të shumta për faktin nëse duhej bërë një ndërhyrje në një shkallë kaq të gjerë pikërisht në këtë fshat – për shkak se për personat e ndaluar thuhet se janë të fundit në listën e të dyshuarëve.

Këto janë pamjet pas përfundimit të operacionit policor në fshatin Luboten të Shkupit: Policia financiare ekspozoi 12 tonë duhan të tipit Virxhinia, të importuar, sikurse u tha, nga vende fqinje – Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Greqia, të grirë e të bërë gati për shitje në rrugë të jashtëligjshme. Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, tha dje për Klan Macedonia se në këtë mënyrë për vetëm një vit e gjysmë buxheti i shtetit është dëmtuar për 7.5 milionë euro.

“Një grup i personave juridik dhe fizik nga Maqedonia e Veriut kryejnë importin e duhanit të papërpunuar të llojit “Virxhinia” që dallohet nga duhani vendor edhe sipas cilësisë, por edhe sipas madhësisë së gjetheve, kurse i njëjti nuk lejohet të prodhohet në vend”.

Përpjekjet për vendosjen e rregullave të ligjshmërisë në treg, për luftimin e krimit të organizuar e të korrupsionit, s’do mend se janë legjitime dhe për t’u përshëndetur. Mirëpo, prania e madhe e policisë dhe bastisja gati-gati e gjithë fshatit, ka hapur debatin nëse operacioni në emër të luftimit të krimit të organizuar duhej të niste pikërisht nga Luboteni ngase, sikundër thuhet, ai nuk është qendër e mafias së duhanit, për shkak se peshqit e mëdhenj janë diku tjetër- shkruan Magazina ekonomike. Vëzhguesit ndërkaq thonë se operacioni i drejtuar nga Policia Fianciare nuk i sjell pikë as Lidhjes Socialdemokrate, për shkak se kreu i saj vjen nga radhët e kësaj partie.

Në të njëjtën kohë, opozita shqiptare, po edhe ajo maqedonase, ka lëshuar breshëri akuzash në adresë të Qeverisë duke e cilësuar aksionin si përpjekje për spostim të vëmendjes nga ato që ajo i quan skandale të përditshme dhe premtime të rrejshme. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ditë më parë, në studion e TV Klan, të thuash nuk gjeti asgjë të mirë në qeverisjen dyvjeçare të Qeverisë së Zoran Zaev. Madje ai, pa fshehur ironinë, përmendi edhe qytetin e Strumicës, kryetar i së cilës ka qenë kryeministri aktual dhe, për hir të së vërtetës, kjo komunë është shquar për të mirë nga shumë simotra të saj në pjesën tjetër të vendit.

“Dallohet, e saktë, me atë se po ngritet një fabrikë e re, ku ta di unë, për përpunimin e kanabisit. Do të ketë disa ara të kanabisit atje në rrethinën e Strumicës dhe në Strumicë. Ky është përafërsisht dallimi nga Tetova. Këtu ende nuk kam parë një arë të tillë ku do të mbillet kanabisi për shkak se me siguri familja Zaev nuk ka interes për të investuar këtu, ndaj për këtë arsye nuk kanë vendosur, mirëpo licensën sigurisht se do ta merrnin ata ose ndonjë i afërm me ta”.

Opozita mbron qëndrimin se operacioni në Luboten duhet të ndëshkonte vetëm personat e implikuar e jo të gjithë fshatin dhe, poashtu, shtron pyetjen se përse nuk u veprua edhe në pjesë të tjera të vendit ku nuk është e vështirë të sigurohen prova. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!