Pas Nejmarit, edhe Kavani nuk luan Paris Sen Zhermenin

schedule16:43 - 10 February, 2019

schedule16:43 - 10 February, 2019

Paris Sen Zhermeni mori një tjetër lajm të keq përsa i përket dëmtimeve. Kampionia e Francës nuk do të ketë dy lojtarë kryesorë në duelin e Championsit ndaj Mançester Junajtidit.

Për mungesën e njërit yll e kishte mbledhur mendjen. Paris SG e dinte se do të luante ndaj Mançester Junajtidit, në Champions, pa Nejmarin, por tani mori edhe goditjen e dytë. Për fat të keq, edhe liga franceze, jo aq shumë e mundimshme sa ajo angleze apo spanjolle, po shkakton probleme të shumta, si dëmtimi I Edinson Kavanit.

Golshënuesi më i mirë në historinë e klubit ndjeu dhimbje pasi shënoi me penallti në ndeshjen ndaj Bordosë në “Park dë Prensis”, dhe trajneri Tomas Tuhel u detyrua ta zëvendësonte shpej, për të mos i bërë gjërat më keq. Gazeta “L’Ekip” e shpreh shumë qartë sesi u ndjenë parizienët:  Kavani bën PSG-në që të dridhet. Gjithsesi, lajmin e keq e dha gazeta e kryeqytetit, “Lë Parizien”.

“Kavani nuk do të udhëtojë për në Mançester”, titulloi ajo, duke sqaruar se dëmtimi muskulor do ta pengojë për të luajtur në Champions.

“Ne patëm shumë vështirësi në këtë ndeshje, – ishte analiza e trajnerit, – Natyrisht që kemi menduar për ndeshjen e Championsit, dhe kjo na ka prishur punë, por kjo është normale. Shpresoj vetëm që të përballojmë mungesën e lojtarëve të rëndësishëm”.

Lajmi i mirë për kampionët e Francës është rikthimi titullar i mesfushorit Marko Verrati, edhe pse ai nuk mundi ta mbyllte ndeshjen.

Tashmë, ai pritet të jetë në formacion në “Old Traford”. “Jam i lumtur sepse kisha 3 javë që nuk luaja, – u shpreh italiani, – u ndjeva mirë. Përsa i përket ndeshjes, ishte e vështirë dhe duhet të përmirësohemi”.

Paris SG mund të ketë në dyshim edhe mbrojtësin Mënier, fitues i penalltisë, pasi belgu u godit kokë më kokë me një kundërshtar. Kampionët vazhdojnë dominimin e ligës franceze, por pritet ta kenë shumë të vështirë ndaj një Mançester Junajtidi që është duke shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit të ri, Solskjer./abcnews.al