Pas mbylljes së shkollave, vajzat afgane u kthehen medreseve

schedule09:22 - 28 Prill, 2023

schedule 09:22 - 28 Prill, 2023

Një grup i vajzave me mbulesa të zeza në fytyrë, hyjnë me qetësi në medresenë në Gor, provincën qendrore të Afganistanit.

Brenda këtij institucioni arsimor islam, dhjetëra adoleshente ulen në tokë dhe recitojnë Kuranin, librin e shenjtë islam.

Në mesin e tyre është edhe Zora Jalali, e cila ishte në vitin e fundit të shkollës kur talibanët morën pushtetin më 2021. Grupi militant më pas ua ndaloi vajzave që të ndiqnin mësimin përtej klasës së gjashtë, dhe me këtë vendim Zora Jalalit iu shua ëndrra që të bëhej mjeke.

Jalili tani është në mesin e mijëra adoleshenteve që janë regjistruar në medresetë e udhëhequra nga talibanët, duke i parë ato si mundësinë e fundit për të vazhduar edukimin e tyre. Militantët kanë lejuar vajzat e të gjitha moshave të studiojnë në medrese në Afganistan, shtet me shumicë myslimane dhe me një popullsi prej rreth 40 milionë banorësh.

“Duam që shkollat e rregullta të rihapen”, thotë kjo 18-vjeçare për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Përveç edukimit fetar, ne po ashtu duam të mësojmë lëndë të tjera”.

Talibanët janë zotuar se nuk do tí largojnë të gjitha format e edukimit modern sekular, që lulëzuan në Afganistan pas pushtimit të vitit 2001 të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që rrëzuan nga pushteti regjimin e parë të talibanëve.

Që kur kanë rimarrë pushtetin, militantët kanë shndërruar dhjetëra shkolla sekulare, universitete publike dhe qendra të tjera trajnuese në medrese (seminare islamike), duke nxitur rritjen e numrit të medreseve në shtet.

Militantët po ashtu janë zotuar se do të rishikojnë kurrikulën kombëtare dhe do të ndërtojnë një rrjet të madh të medreseve në të 34 provincat e shtetit.

Tamina Qudusi, ish-studente universitare, thotë për REL-in se qasja e talibanëve drejt edukimit modern është vetëshkatërruese.

“Si mundemi ne [afganët] të qëndrojmë në këmbët tona nëse nuk kemi edukim [modern]”, pyet ajo. “Gratë e pashkolluara nuk do të mund të arrijnë asgjë”, shton Qudusi.

Qudusi u regjistrua për të ndjekur mësimet në një medrese në provincën veriore të Parvanit, pasi talibanët në dhjetorin e vitit të kaluar ua ndaluan grave që të ndiqnin mësimet në universitete. Ajo thotë se vijimi i shkollimit në medrese do t’i mundësojë që të paktën të ketë një formë të shkollimit.

Në medresetë që udhëhiqen nga talibanët nxënësit mësojnë të lexojnë dhe mësojnë përmendësh Kuranin, që është i shkruar në arabisht, gjuhë që pak afganë e kuptojnë. Ata, po ashtu, mësojnë lidhur me mësimet dhe predikimet e profetit Muhamed.

Neda Rahmani, ish-studente universitare nga provinca jugperëndimore e Nimorzit, thotë se kufizimi i edukimit, vetëm për mësime fetare, është në dëm të Afganistanit, ku kërkohen kuadro me burra dhe gra në të gjitha fushat, përfshirë atë të arsimit, shëndetësisë, e madje edhe në sektorin e sigurisë.

“Talibanët duhet të kuptojnë se duhet të investojnë kohë që të kuptojnë rolin e grave në këtë shtet”, thotë kjo 21-vjeçare, që po ashtu ndjek shkollimin në medrese.

Talbanët kanë mbrojtur përpjekjet e tyre për të çrrënjosur edukimin modern sekular.
Kreu i departamentit të arsimit në Gor, Mawlawi Abdul Jabbar Saqib, thotë se “edukimi modern nuk është i detyrueshëm për gratë”.

“Ato duhet të marrin njohuritë e sakta për fenë, për veten e tyre dhe për familjet e tyre”, thotë ai për REL-in.

Por, shumë figura fetare dhe mësues afganë nuk pajtohen me këtë. Ata kanë akuzuar talibanët se po i përdorin medresetë për t’ia shpërlarë trurin gjeneratës së re me ideologjinë e tyre ekstremiste dhe për të fshirë format moderne të edukimit.

“Ne na duhet arsim modern aq sa na duhet buka dhe uji”, thotë një dijetar fetar në Nimroz, që foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes. “Ne duhet të kemi mjeke. Po ashtu na duhen gra inxhiniere dhe mësuese”.

Përveç kufizimit të shkollimit të vajzave dhe grave, talibanët po ashtu kanë vendosur kufizime të ashpra edhe në pamjen e grave, lirinë e lëvizjes dhe në të drejtat e tyre për të punuar.

Razia Haqshanas, një nxënëse e klasës së nëntë në Parvan, ka qenë dëshmitare se si gradualisht qasja e vajzave dhe grave në arsimim është ndërprerë. Ajo ka frikë se talibanët mund t’ua ndalojnë vajzave që t’i ndjekin mësimet edhe në medrese.

“E ardhmja e ime është e errët”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!