Lufta e fundit në Kosovë ka lënë plagë të mëdha, dhe sidomos moszbardhja e fatit të të zhdukurve. Për të nderuar dhe rikujtuar viktimat e luftës dhe të të pagjeturve, më 26 Nëntor u mbajt në Prishtinë shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne?!”, me producent Nusret Pllana, ish drejtues i radios Kosova e Lirë.
Shfaqja do të mbahet në Tiranë me datë 28 Nëntor në Teatrin Kombëtar si edhe në Shkup me 30 Nëntor në Teatrin Shqiptar. Pllana ishte i ftuar në emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ku u shpreh se projekti iu dedikohet atyre që kanë luftuar për lirinë.
“Ky projekt sintetizon vuajtjen dy shekullore të shqiptarëve, masakrat dhe barbaritë serbe, zhdukjen e shqiptarëve që janë edhe sot me mijëra vrasjen e fëmijëve shqiptarë. Por gjithsesi jemi mirënjohës në fund të kësaj shfaqjeje edhe ndaj NATO-s dhe Amerikës, pa harruar për asnjë moment UÇK, djem dhe vajzat, të cilët derdhën gjak për të ardhur në këtë ditë.”, u shpreh Pllana./abcnews.al