Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi platformat e mediave sociale për “fashizëm dixhital” në komentet e tij të para për ndalimin e vendosur nga vendi në Instagram.
Komentet e liderit turk erdhën pasi zyrtarët u përfshinë në diskutime me përfaqësuesit e platformës së mediave sociale në pronësi të Meta për të rikthyer aksesin për miliona përdorues në Turqi.
Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të vendit (BTK) bllokoi aksesin në aplikacionin e njohur të mediave sociale të premten në mëngjes pa dhënë arsye.
Por masa erdhi pasi Shefi i Komunikimit të Turqisë, Fahrettin Altun kritikoi Instagramin për gjoja bllokimin e postimeve ngushëlluese për vdekjen e Ismail Haniyeh, shefit të byrosë politike të Hamasit, i cili u vra në një sulm ajror para agimit në Teheran të Iranit javën e kaluar.
Erdogan akuzoi të hënën platformat e mediave sociale se sillen si mafia dhe tha se ata nuk mund të “toleronin as fotot e martirëve palestinezë”.
Ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë, Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste. Një kritik i fortë i veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, Erdogan e ka përshkruar grupin si një lëvizje çlirimtare.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu tha se autoritetet turke ishin takuar me përfaqësuesit e kompanisë në pronësi të Meta javën e kaluar dhe mbajtën një raund të ri bisedimesh të hënën pa arritur një zgjidhje.
“Ne nuk morëm rezultatin e saktë që dëshironim,” tha Uraloğlu.
Instagram ka më shumë se 57 milionë përdorues në Turqi, një komb me 85 milionë banorë, sipas We Are Social Media, një kompani e lajmeve të marketingut dixhital me bazë në Nju Jork./abcnews.al