Një ish shok dhome i të dyshuarit kryesor të sulmit me armë të ftohtë të premten, para ish selisë së revistës satirike Sharli Hebdo në Paris, është ndaluar nga policia franceze gjatë natës.
I dyshuari kryesor, i arrestuar nga policia në sheshin e Bastijës pak pas sulmit ku mbetën të plagosur rëndë dy persona, është një 18 vjeçar nga Pakistani i cili ka ardhur në Francë vetëm 3 vjet më parë.
Gjatë natës së të premtes është lënë i lirë një i dyshuar i dytë, një algjerian 33-vjeçar, pasi nuk kishte asnjë provë për përfshirjen e tij në ngjarje.
Ai thjesht ndodhej në vendngjarje në momentin e atentatit, dhe i rrëfeu policisë se e kishte ndjekur dhe kërcënuar agresorin. Deklaratat e tij është konfirmuar dhe nga dëshmitarë të tjerë.
Deri tani janë shtatë personat e ndaluar nga policia, pesë prej të cilëve ndodheshin në një nga shtëpitë e të dyshuarit kryesir, në Paris. Dy shtëpitë e të dyshuarit janë kontrolluar nga policia.
Sulmi i një dite më parë është simbolik, ndodhi ditë të premte, si pjesa më e madhe e sulmeve terroriste, dhe pikërisht në ditën e procesit gjyqësor të atentatorëve të Sharli |Hebdo, e përjavshmja satirike e akuzuar për blasfemi, që u sulmua në janar të 2015-ës.
Ministri i brendshëm francez u shpreh për mediat se ngjarja është klasifikuar si atentat terrorist.
Redaksia e Sharli Hebdo është kërcënuar sërish pasi vendosi të ripublikonte karikaturat e profetit Muhamed në 2 shtator ditën e nisjes së procesit gjyqësor i cili do të zgjasë deri në 10 nëntor, për atentatet e vitit 2015.
Nga vala e sulmeve xhihadiste e paprecedentë e nisur në vitin 2015, në Francë ka shkaktuar 258 viktima, dhe shumë prej tyre kanë qenë pikërisht me mjete prerëse./abcnews.al