Pas apelit në ABC, familja Cacuri bëhet me shtëpi të re, nëna e lumtur: Vajzën e sëmurë nuk e mbaj më me zinxhirë

schedule12:44 - 26 Nëntor, 2022

schedule 12:44 - 26 Nëntor, 2022

Nga Ahmet Zani

“I kërkoj kryeministrit, Edi Ramës të më bëjë shtëpinë sa më shpejt se shtëpia po më zë brenda dhe të më ndihmojë për dy fëmijët e sëmurë. Kur kanë qenë votimet ja kam dhënë Edi Ramës”, këtë thirrje bëri në korrik nënë Marta përmes ABC-së.

Marta Cacuri nga fshati Zheje i Kurbinit, që jeton me 4 vajzat e saj, dy prej tyre me aftësi të kufizuara vetëm kur kërkoi ndihmë përmes ABC-së ju ndërtua banesa e re.

Të vjetrën e shkatërroi tërmeti. Për 3 vjet jetuan në kushte shumë të vështira në kontenier.

Lexo edhe: “Po e lashë të lirë mund të dëmtojë veten ose të tjerët,” vajza nga Kurbini prej vitesh mbahet e lidhur me zinxhir

“Dola në televizon dhe erdhi Bashkia e Kurbinit prishën shtëpinë e vjetër dhe e bënë të re. Erdhi kryetarja e Bashkisë dhe bëri verifikimet.”

Tashmë familja Cacuri është rehatuar në këtë shtëpi të re. Nënë Marta na tregon dhe ambientet e saj.

“Ja dhoma ku fle unë me vajzat e sëmura. Këtu tek dhoma tjetër flenë vajzat beqare.”

Nënë Marta është shumë e gëzuar që dhe vajza e tretë me probleme të shëndetit mendor, të cilën e mbante të lidhur me zinxhirë është përmirësuar.

Pas apelit në ABC e bija u trajtua disa javë në Spitalin e Shkodrës.

Lexo edhe: Merr fund kalvari i vuajtjeve, vajza që mbahej me zinxhir shtrohet në spitalin psikiatrik të Shkodrës 

Ajo është kthyer në shtëpi, nuk është më agresive, pasi po mjekohet me ilaçet e duhura.

“Gocën e vizitova, u shtrua 5 javë në spitalin e Shkodrës. Doli mirë. Nuk e lidh më me zinxhir, as që bëhet fjalë. Ka ndryshuar 100%. “

Familja Cacuri edhe pse ka probleme ekonomike, të paktën po jeton e qetë. Falë këmbënguljes së nënë Martës, që nuk u dorëzua dhe për ditë më radhë kërkoi ndihmë në ABC kanë një shtëpi të re dhe vajzën nuk e lidh më me zinxhirë.

Për rastin u aktivizua dhe avokati Adritatik Lapaj,  i cili kontaktoi me punonjësin e Ministrisë se Shëndetësisë,  Alfred Muharremin që u kujdes për shtrimin e vajzës në spitalin e Shkodrës.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!