Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan njoftoi sot gatishmërinë e vendit për të njohur enklavën e Nagorno-Karabakh si pjesë të Azerbajxhanit. Megjithatë, kryeministri armen i vuri kusht Bakut që të garantonte sigurinë e popullsisë etnike armene.
Takimi i javës së kaluar midis kryeministrit armen Nikol Pashinyan dhe presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev, i pesti i këtij lloji i ndërmjetësuar nga Europa erdhi pas një javë përleshjesh në kufijtë e dy vendeve, gjatë së cilës një ushtar armen dhe një azerbajxhanas u vranë.
Takimi i ri mes Pashinyan dhe Aliyev është planifikuar të zhvillohet më 1 qershor në Moldavi, ku përveç Charles Michel do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Europian.
Dy shtetet kaukaziane kanë qenë në konflikt për gati tre dekada për kontrollin e enklavës së Nagorno-Karabak. Dy ish-republikat sovjetike të Kaukazit u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990 dhe 2020, mbi kontrollin e Nagorno-Karabakut, një rajon malor ku jetojnë kryesisht armenë dhe që u shkëput nga Azerbajxhani më shumë se tre dekada më parë.
Pas luftës së shkurtër në vjeshtën e vitit 2020, kur Azerbajxhani rimori territorin, Baku dhe Jerevani nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Moska. Që atëherë, ushtarët rusë kanë garantuar ruajtjen e paqes në Nagorno-Karabakh, por Armenia është ankuar prej muajsh se ky mision nuk është zbatuar.
Tensionet, tashmë të larta, u përshkallëzuan më tej kur Baku njoftoi më 23 prill se kishte vendosur një pikë kontrolli në rrugën e Korridorit Lachin, e vetmja lidhje midis Armenisë dhe enklavës separatiste, e cila është bllokuar prej muajsh, duke çuar në mungesa dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
/abcnews.al