Pas 2 vitesh pezullim, Trump kërkon të rikthehet në Facebook

schedule22:27 - 18 Janar, 2023

schedule 22:27 - 18 Janar, 2023

Donald Trump ka kërkuar zyrtarisht të lejohet të kthehet në Facebook, njoftoi sot ekipi i tij i fushatës, duke bërë thirrje që një kandidat presidencial të mos “heshtet”.

Avokati i ish-presidentit amerikan i ka dërguar një letër themeluesit të platformës Mark Zuckerberg, ku i kërkon “një takim për të diskutuar kthimin e shpejtë” të Donald Trump në rrjetin social.

“Ne mendojmë se pezullimi i llogarisë së Presidentit Trump në Facebook ka shtrembëruar dhe kufizuar thelbësisht debatin publik”, tha Scott Gast në letrën e dërguar të martën.

Ai i kërkon platformës të “promovojë dialogun e vërtetë, jo të heshtë një kandidat presidencial”.

Ish-udhëheqësi republikan u ndalua nga faqja e rrjeteve sociale për dy vjet pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021.

Facebook kishte vlerësuar se Donald Trump nuk mund të kthehej derisa “rreziqet për sigurinë e publikut të jenë zhdukur”.

I pyetur sot nga AFP, një zëdhënës i Metës, kompania mëmë e rrjetit, premtoi një vendim për fatin e ish-presidentit “brenda javëve të ardhshme”.

Trump tashmë është kthyer në Twitter më 19 nëntor 2022, katër ditë pasi shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Megjithatë, ai ende nuk ka postuar ndonjë mesazh në atë llogari, duke komunikuar kryesisht përmes platformës së tij, Truth Social. /abcnews.al