Parukeritë hapen me më shumë shpenzime: Peshqirët përdoren një herë! Takimet me telefon

schedule22:17 - 7 Maj, 2020

schedule 22:17 - 7 Maj, 2020

Prej tashmë dy muajsh vajzat dhe gratë kanë kryer shërbime bukurie në kushte shtëpie.

Karantina ka qenë mjaft e vështirë për disa prej tyre që janë mësuar t’i bëjnë trajtime të shpeshta vetes në sallone të ndryshme të cilat u mbyllën me shfaqjen e rastit të parë me koronavirus në Shqipëri.

Pritja do të marrë fund ditën e hënë, por ashtu si në çdo sektor tjetër, edhe parukeritë dhe qendrat estetike do të hapen në masa të forta anti-covid. Kjo për vetë faktin se çdo shërbim kërkon kontakt mes dy ose më shumë personave, gjë që rrit rrezikshmërinë e transmetueshmërisë së koronavirusit.

Instituti i Shëndetit Publik ka hartuar një protokoll më të zgjatur me rregulla higjieno-sanitare që synon që hapja e këtyre bizneseve të mos rrezikojë klientët dhe punonjëset e këtyre qendrave.

Ashtu si është rekomanduar më herët, edhe punonjësit e këtij sektori duhet të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqin shenja të sëmundjes dhe telefonojnë urgjencën kombëtare.

Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht mjetet mbrojtëse për punonjësit nga sapuni, letra e dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve dhe kosha plehrash që duhen pastruar çdo ditë.

LEXO EDHE: Rregullat e rrepta për hapjen e qendrave tregtare: S’ka sorollatje më shumë se dy orë

Punonjësit duhet ta mbajnë maskën në çdo moment, ndërkohë që klienti duhet të mbajë distancë dhe koha e shërbimit të jetë sa më e shkurtër.

Klienti duhet të pajiset me veshje plastike (qese) për këpucët, një përdorimëshe të cilat më pas hidhen në kosh.

Ata që kryejnë trajtim trupor duhet të veshin edhe veshje një përdorimëshe.

Karriget dhe poltronat ku qëndron klienti duhet të dezinfektohen, ndërkohë që peshqirët duhet të përdoren vetëm për një klient dhe më pas të hidhen në kosh.

Klienti dhe punonjësit duhet të mbajnë distancën prej dy metrash, ndërkohë që në hapësira të mëdha lejohet një klient në çdo 10 metra katrorë.

Çdo klient duhet të lërë një takim më parë në telefon, pasi nuk lejohet të krijohen radhë brenda ose jashtë subjektit që ofron shërbimin.

Ambientet duhen ajrosur disa herë në ditë si dhe duhen dezinfektuar ashtu sikurse edhe mjetet e punës./abcnews.al