“Partizat” dhe kush i do koalicionet? Robert Aliaj: Njerëzit s’kanë më kurajo të ikin…”le të vdesim”

schedule21:42 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 21:42 - 3 Dhjetor, 2020

Opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor riktheu edhe njëherë debatin për koalicionet parazgjedhore në Shqipëri. Por kujt i interesojnë koalicionet? Mbrëmjen e sotme në emisionin “As pro, as kundër” të drejtuar nga Robert Aliaj “ABC” gazetari Adrian Thano u shpreh se koalicionet i interesojnë PD-së. “Për mënyrë si qasen partitë, koalicionet i interesojnë PD-së dhe opozitës. Të gjitha partitë përveç PSD që merr një deputet në Shkodër, janë aleatë të PD-së” tha ai.

Gazetari Baton Haxhiu shpjegon sipas tij se përse krijohen paritë e vogla që ai i cilësoi si “partiza”. “Partizat e vogla krijohen në një moment kur disa autoritete janë brenda një partie të mëdha dhe nuk mund ta rregullojnë një proces brenda partisë që të funksionojë si i përbashkët dhe për shkak të egove dikush ikën dhe krijon një parti. Shumë njerëz që ikën nga partitë e mëdha mendojnë se autoriteti i tyre është i mjaftueshëm për të ndërtuar një parti. Ikja e autoriteteve për të krijuar diçka të vetën.

E dyta, autoriteti i një pushteti nuk është i mëshirshëm, pasi dëshiron që infrastrukturën ligjore të vetën ta imponojë dhe është çështje e partive më pas që ta refuzojnë më pas një gjë të tillë, mund të jetë refuzim i vrazhdë, estetik apo revolucionar. Koalicionet janë te kjo, kur zhbëhet autoriteti i partive, partizave apo opozitës dhe krijojnë një përbashkësi që nuk dëshiron që të dominohet nga tjetri, nëse e gjejnë gjuhën e përbashkët beteja është e hapur, nëse jo dyshoj” tha ai.

Kreu i PAA-së, Agron Duka mendon ndryshe. “Ka edhe parti të dala nga pakënaqësitë. Por ka parti që janë po aq të vjetra sa PD apo PS apo më të vjetra si PAA. PR është po aq e vjetër sa PD, PDIU, PDBNJ, apo PSD, por ka edhe nga ata që kanë dalë nga pakënaqësi të veçanta, por janë parti të paprovuara. Ndërsa këto që them unë janë me historik mbi 70 mijë vota. Këto i duhen demokracisë, nuk mund të quhen partiza”. Ndalur te koalicionet dhe ndalimi me ligj, Endri Shabani tha se “Edi Rama ka krijuar një sistem që avantazhon veten e vet me kalkulimet ligjore, ta bësh kostumin sipas qejfit vet”.

Për drejtuesin e emisionit Robert Aliaj panorama aktuale në Shqipëri është shumë e zymtë. “Jam jashtëzakonisht në terren, trokas pa leje në familje, futem pi një gotë raki, kënaqem me njerëz të thjeshtë dhe të mençur. Skepticizëm ka për të gjithë spektrin politik,  s’ka besim, e di çfarë ndodh? Njerëzit nuk është fakti që duan të ikin, por nuk kanë më kurajo as të ikin, thonë “le të vdesim”, nuk kanë më shans, është zero” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!