Partizani pranë forcimit të ekipit

schedule14:52 - 29 Dhjetor, 2018

schedule 14:52 - 29 Dhjetor, 2018

Partizani pritet ta përforcojë ndjeshëm skuadrën për fazën e dytë të sezonit. Kryeqytetasit kërkojnë lojtarë në çdo repart, për të synuar titullin.

Ky njeri i ka provuar të gjitha. Motivimi nuk ka munguar, po ashtu edhe uniteti dhe sakrifica, por Partizani i trajnerit Skënder Gega nuk ka bindur plotësisht në gjysmën e parë të sezonit, pavarësisht vendit të parë në renditjen e Superligës. Zgjidhja e vetme, për të synuar më në fund titullin, është përforcimi në Janar. Kryeqytetasit kanë vepruar dhe duket se kanë gjetur lojtarët që u duhen, ndonëse transferimet ende nuk janë mbyllur plotësisht. I sigurt duket Fatjon Jusufi, lojtari fantazist i Renovës në Maqedoni. Futbollisti është 23 vjeç, dhe ka 5 vjet që luan në Superligën e Maqedonisë në radhët e Renovës, për të cilën ka zhvilluar 95 ndeshje e ka shënuar 10 gola.

Paga besohet se do të jetë 3.000 euro në muaj, me kontratë 2-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon. Futbollisti tjetër pranë Partizanit është sulmuesi polak, Sebastian Bergier. Vetëm 19 vjeç, ai luan për Stahl të Mielecit në kategorinë e dytë, ndërsa është thirrur edhe nga Polonia U19, duke shënuar gol ndaj Greqisë. Ndonëse tepër i ri, vlerësohet si ndihmesë për golat. Duhet pritur ende, ndërkaq, për mbrojtësin e Kamzës, Hektor Idrizaj, për të shtuar alternativat në krah të prapavijës. Klubi kamzali nuk është ende i bindur për ta lënë të largohet, aq më shumë që mbrojtësi i krahut, Frashëri, kaloi tek Teuta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!