Partizani nuk ndihet ende kampion, Olsi Rama ngacmon Kukësin

schedule23:54 - 15 Prill, 2019

schedule 23:54 - 15 Prill, 2019

Partizani nuk do të festojë përpara kohe për titullin kampion. Drejtori Sportiv, Olsi Rama, flet për ecurinë e skuadrës dhe tregon batutat me presidentin e Kukësit, Safet Gjici.

Nuk dëshiron ta pranojë realitetin, edhe pse është shumë i bukur. Partizani mund të quhet praktikisht kampion i Shqipërisë, i shkëputur ndjeshëm nga rivalët, por drejtori sportiv i tij, Olsi Rama, bën çmos që të mos ndihet i tillë.

Rama: “Jo mos ma merrni për ters. Është si puna e asaj që nuk urohet ditëlindja para se të vijë dita. Ne e dimë që kemi edhe 7 javë të tjera dhe janë akoma 21 pikë dhe është akoma goxha punë. Dhe më pëlqeu  një deklaratë e një trajneri që tha “klubi kërkon rezultatet nuk kërkon gjithmonë 3 pikëshin”. Por për Partizanin e rëndësishme është që të performojmë në çdo ndeshje”.

Gjithsesi, batuta e Ramës me presidentin kuksian, Gjici, tregon tjetër gjë.

Rama: “Zoti Gjici tha se “kam radhën, nuk kam mbaruar”. Unë i thash ki kujdes vendin e dytë”.   

Çfarë ka ndryshuar këtë vit për Partizanin, që po del kampion pas 26 vitesh?

Rama: “Rregulli i vënë në skuadër. Dëshira e djemve që bëjnë një grup të mrekullueshëm për të punuar. Dhe qetësia që kanë pasur ata në vetëdijen e tyre që janë një grup i fortë dhe se do e arrijnë rezultatin për të cilin kanë punuar”.

A i ka menduar Partizani përgatitjet për festën?

Rama: “Jo, jo asnjë lloj përgatitje”./abcnews.al