Partizani dështon të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Sherif Tirasspol.
Të kuqte u mundën me rezultatin 1-0 dhe kanë shumë pak shpresa për kualifikim. Partizani dështoi jo vetëm në rezultat por edhe në lojë. Asnjë rast i rrezikshëm nuk u regjistrua në portën e skuadrës moldave duke vendosur dhe një herë tjetër në dukje se sulmi ka jo pak probleme.
Në tre ndeshjet evropiane Partizani nuk ka shënuar ende asnjë gol. Një statistikë shqetësuese për një skuadër që pak muaj më parë u shpall kampion në Shqipëri.
Partizani ndëshkohet në minutën e 23. Hoxha devijon një goditje të fuqishme ku përfiton Tambe i cili realizon me portën e boshatisur.
Reagion Partizani me Malen por goditja është jashtë kuadratit.
Në pjesën e dytë të kuqtë nuk arritën të ndërtonin diçka ndryshe edhe pas ndryshimeve të trajnerit Lerda i cili inkuadroi në lojë Asanin, Akubanin dhe Romeron. Zëvendësime të cilat nuk e ndryshuan ritmin e lojës.
Partizani vuajti shumë edhe në fazën mbrojtëse e cila konsiderohet si pika më e fortë.
Janë edhe 90 minuta për tu zhvilluar por Partizanit i duhet një mrekulli për të kaluar turin e dytë në Europa League.
Trajneri Lerda e ka të gjithë kohën në dispozicion për të ndryshuar diçka në lojën e të kuqve të cilët duhet të jenë agresiv dhe të saktë në rastet që do të krijojë në ndeshjen e kthimit. Partizani i ka të gjithë lojtarët në dispozicion për të tentuar përmbysjen e madhe javën e ardhshme./ABC News Albania 24/7