Skuadra e Partizanit fitoi derbin ndaj Tiranës me përmbysje 2-1. Heroi i ndeshjes për të kuqtë ishte Hebaj me dy golat e tij. Tirana konfirmon krizën që po kalon.
Kryeqytetin e sundon vetëm një skuadër dhe ajo është Partizani. Të kuqte ia dolën sërish të mposhtnin rivalët e përbetuar të Tiranës me përmbysje 2-1. Të kuqtë kontrolluan lojën në pjesën më të madhe të takimit ndërkohë që u ndal dy herë nga traversa. Partizani ishte më i qartë në lojë ndërkohë që dy golat erdhën si pasojë e një përgjumje të mbrojtjes bardheblu.
Sinjalet e para i jep Trashi në minutën e 14-të, por portieri Abibi devijon në këndore. Episodi i diskutueshëm ndodhi në minutën e 31-të. Trashi ndëshkohet me karton të verdhë për simulin në zonën e Tiranës duke pretenduar për 11-metërsh. Protestojnë lojtarët e Partizanit. Në të 45-n minutë goditja e Asanit ndalet në traversë. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Fraksioni i dytë i lojës nis në mënyrën më të mirë për Tiranën pasi Grent Halili kalon në avantazh bardheblutë. Sulmuesi përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe mposht me lehtësi portierin Alban Hoxha. Reagon Partizani që vendos baraspeshën në minutën e 67. Rubin Hebaj godet me kokë, por Abibi nuk largon rrezikun nga zona, topi mbetet aty dhe Hebaj e shtyn lehtë drejt rrjetës.
Të kuqtë e kërkojnë me ngulm golin e fitores ndërkohë që Tirana tregon dhe njëherë problemet që ka në mbrojtje. Hebaj shënon në të 87-n minutë duke përfituar nga një gabim amatoresk i mbrojtesit Hoxhallari. Në minutat e mbetura Partizani administron lojën dhe fiton tre pikë të arta drejt rrugës për titullin kampion. Ndërkohë që Tirana numëron 15 ndeshje radhazi pa fitore ndaj Partizanit./abcnews.al