Partizani kërkon Mavrajn për mbrojtjen? Flet për herë të parë ish-kapiteni i kombëtares

schedule16:23 - 23 Gusht, 2022

schedule 16:23 - 23 Gusht, 2022

Kur jemi edhe pak ditë nga mbyllja e merkatos, skuadrat shqiptare po lëvizin edhe gurët e fundit për të bërë ndonjë transferim që mund të bëjë diferencën në kampionatin shqiptarë.

I tillë është rasti i Partizanit, me të kuqtë që kërkojnë të përforcojnë repartin e mbrojtjes, teksa drejtuesit kanë hedhur sytë tek ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare.

Bëhet fjalë për Mërgim Mavraj, i cili mund të jetë goditje “big” e demave në këtë merkato. Në lidhje me një kalim të mundshëm në “Abissnet Superiore” ka folur edhe ish-kapiteni i kombëtares, i cili në një intervistë për “Oversport” ka konfirmuar për bisedimet me Partizanin.

Kapiten, së fundmi jeni shfaqur në studiot e SKY-it si komentator dhe analist. Si është kjo detyrë e re? Puna në studio është shumë herë më e lehtë sesa ajo në fushë (Qesh…).

Po ja ndjen kënaqësinë që në hapat e parë mesa duket? Po, është interesante. Nga studio duket se di gjithçka, vlerëson punët e të tjerëve. Me të vërtetë një eksperiencë interesante.

Së fundmi, emri juaj shihet si një ndër alternativat për mbrojtjen e Partizanit. Si qëndron e vërteta? Së pari, unë kam shumë respekt për klubin e Partizanit. Njerëz që unë i kam miq shumë të mirë, janë ish-lojtarë apo edhe tifozë të asaj skuadre, që ma shtojnë edhe më tepër respektin për të.

Po shkoj më tej, keni nisur bisedime? Po, mund t’jua konfirmoj që kam lejuar të nisin bisedimet. Për momentin vetëm kaq mund të them.

Pra, po thoni që jeni gati të luani në kampionatin shqiptar? Nuk e di se si mund të shkojnë bisedimet, nëse do të ketë një bashkëpunim apo jo. Nga ana ime mund të them që për mua, fakti që një klub si Partizani është interesuar për mua që të jem pjesë e tij, është një vlerësim shumë i madh. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!