“Partizani, kampion me meritë”

schedule15:44 - 29 Prill, 2019

schedule 15:44 - 29 Prill, 2019

Edhe pse nuk po bind së fundmi, Partizani do të dalë me meritë kampion i vendit. Ish-lojtari i Tiranës, Rezart Dabulla, analizon Superligën pas javës së 31-të dhe flet për fatin e skuadrës së tij të zemrës.

I duhet dhënë merita, edhe kur nuk ke dëshirë që të ndodhë. Partizani po del kampion i Superligës shqiptare edhe pse javët e fundit me hapa gjysmakë, diçka që e pranon edhe një ish-kampion me Tiranën si Rezart Dabulla. Si ndihet futbollisti, që ishte pjesë e një brezi që bëri epokë, për faktin se të kuqtë janë pranë titullit.

“Ne jemi mësuar me frymën që Partizani ka qenë rival historik dhe gjithmonë ka pas qenë që Tirana duhet të ishte më lart se Partizani. Ka kohë që Tirana është poshtë Partizanit. Gjëja që më vjen keq është diferenca e madhe mes dy ekipeve. Është shumë e vështirë që Partizani ta lëshojë këtë vit fitimin e titullit. E ka merituar”, tha Dabulla.

Tirana e tij vazhdon të kënaqë me mënyrën e lojës, por nuk është aspak e besueshme për rezultatet.

“Tirana ka zhvilluar lojëra të mira. Është një ekip që shënon me vështirësi dhe pëson lehtësisht. Trajneri, drejtuesit nuk mund t’i mësojnë një lojtari si të shënojnë gol”, tha Dabulla.

Kanë mbetur edhe 5 javë, sa do të ndikojnë aleancat, dhe sa vetë merita e skuadrave në fushë?

“Aleancat ndikojnë. Deri tani nuk kanë ndodhur. Shpresojmë mos të ndodhin deri në fund, por nuk është çudi edhe nëse shfaqen”, u shpreh Dabulla.

Sezoni po përfundon, dhe Dabullës i kërkojmë një krahasim me nivelin e vjetshëm, kur Skënderbeu ishte Skënderbe.

“Disa luftojnë për kampion, disa për Europë, disa për të shpëtuar. Është një situatë që mua më pëlqen. Skënderbeu ka qenë tjetër gjë, ka pasur një ekip që luanin bashkë. Me daljen e tyre jashtë objektivave ka qenë fati i Partizanit dhe Kukësit të luftojnë për të dalë kampion”, u shpreh Dabulla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!