Partizani interesohet për Mirlind Dakun

schedule16:40 - 21 Qershor, 2019

schedule 16:40 - 21 Qershor, 2019

Skuadra e Partizanit synon të përforcohet me një sulmues që garanton gola. Në objektivin e të kuqve është sulmuesi i Osijek Mirlind Daku dhe bomberi i Kievos, Bismark.

Partizani ka nisur fazën përgatitore në Slloveni për të qenë gati për duelin ndaj Karabak në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Të kuqtë kanë zyrtarizuar trajnerin Franko Lerda dhe dy mbrojtësit Esin Hakaj dhe Ulliam Kordero. Ashtu sikurse Kukësi, edhe Partizani ka si synim përforcimin e fazës sulmuese. Partizani ka nevojë për një futbollist që i garanton gola dhe shpresë për ndeshjen ndaj Karabagut. Pas rënies së pistës Bekim Balaj, në skenë kanë dalë dy emra të rinj. Bëhet fjalë për sulmuesin e Kievos Bismark dhe futbollistin shqiptar Mirlind Daku. Futbollisti me origjinë nga Kosova ka qenë edhe më parë nën fokusin e skuadrës kampione në fuqi por futbollisti preferoi kampionatin kroat. 21-vjeçari nuk e fitoi vendin e titullarit të Osijek dhe Partizani është në pritje të një përgjigje nga sulmuesi premtues.

Objektivi tjetër i të kuqve dhe më i vështirë për tu arritur është sulmuesi i Kievos Bismark. Ashtu sikurse Mirlind Daku, qendërsulmuesi ganez është 21-vjeç dhe cilësohet si pasuesi i Khaleb Ekuban i cili u transferua te Partizani pikërisht nga skuadra e Kievos. Futbollisti në fjalë kërkohej nga Kukësi sezonin e kaluar por tentativat dështuan. Partizani do të tentoje të nënshkruaje me Bismark në formën e huazimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!