Partizani i izoluar në prag të Championsit

schedule14:00 - 9 Korrik, 2019

schedule 14:00 - 9 Korrik, 2019

Partizani po stërvitet plotësisht i izoluar në prag të ndeshjes së Championsit. Trajneri Franko Lerda ka frikë nga spiunimi nga rivalët nga Azerbajxhani.

Stadiumi i Kamzës është kthyer në një fortesë të papushtueshme.

Aty stërvitet Partizani, në prag të duelit të Championsit ndaj Karabakut, dhe trajneri Franko Lerda, ka lënë porosi të imtësishme dhe këmbëngulëse që të mos lejohen kamerat apo edhe njerëzit që të mund të depërtojnë për të ndjekur seancat.

Shqetësimi ishte i madh sepse ndonjë kamera ka arritur ta çajë rrethimin, dhe të filmojë diçka, gjë që cilësohet si e papranueshme nga pasardhësi i Skënder Gegës.

Ditën e parë të punës, pas kthimit nga Sllovenia, italiani nuk pati asnjë problem, edhe sepse ishte thjesht stërvitje e lehtë, pa ngarkesë dhe pa skema taktike.

Kjo ndryshoi që nga dita e dytë, ndonëse vetë trajneri ka pranuar, aty-këtu, të japë ndonjë intervistë, po ashtu siç ka lejuar edhe ndonjë nga futbollistët.

Lerda duket se dyshon fort se azerët kanë arritur t’i vjedhin diçka gjatë fazës përgatitore në Slloveni, ku Partizani luajti edhe tri ndeshje miqësore.

Kjo mund të ndikojë jo pak në duelet e këtyre ditëve, aq më tepër që trajneri e di se Karabaku niset nga pozitat e favoritit, duke qenë skuadër me buxhet më të madh, përbërje më të mirë të paktën në letër, dhe përvojë shumë më të madhe në kupat e Europës.

Partizani luan nesër duelin e parë të turit të parë të Championsit ndaj azerëve, në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!