Partizani do të luajë ndaj Tiranës me mungesa

schedule20:59 - 6 Maj, 2019

schedule 20:59 - 6 Maj, 2019

Titulli kampion mund të vendoset në derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana. Në rast se të kuqtë fitojnë do të shpallen zyrtarisht kampion ndërkohë që mungesat do të jenë të shumta.

Afron derbi kryeqytetas në një kohë që Partizani ka mundësinë e parë, “Match Point-in” e parë për të qenë kampion kombëtar pas kaq vitesh. Përballë Tirana. Edhe kjo e fundit me një domosdoshmëri të rrëmbejë pikët që i duhen për qetësi mbijetese, por këtë radhë derbi luhet në pozita të atilla që vendos shumë.

Partizani del kampion edhe nëse Luftëtari fiton në Gjirokastër me Kukësin, por nëse fiton vetë derbin atëherë çdo gjë është mbyllur. Sidoqoftë suksesi ndaj Flamurtarit ka lënë pasoja, pasi thellohet numri i mungesave për derbin e kësaj jave.

Përveç Telushit që është i pezulluar nga Disiplina, ndaj Tiranës do të mungojnë edhe Asani me Mensah, për shkak se kanë plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Nga ana tjetër Bardhi ka shfaqur probleme së fundmi, si dhe a do të jetë Belica në gjendje të kthehet në fushë, formacioni për derbin mbetet një rebus për t’u zgjidhur.

Prej disa javësh, trajneri Gega ka qenë i detyruar të bëjë modifikime në formacionin që përdori zakonisht në pjesën e parë të sezonit, por kjo me Tiranën mbetet një ekuacion më vete.

Tirana ka më shumë arsye që të fitojë, por Partizani kërkon të mbyllë çështjen e titullit që këtë javë, dhe me një favor me shumë, atë të freskisë fizike, pasi Tirana luan të mërkurën me Luftëtarin në “Selman Stërmasi” për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!