Partizani: Akt terrorist, e papranueshme që Tirana hesht!

schedule14:17 - 30 Shtator, 2019

schedule 14:17 - 30 Shtator, 2019

Klubi i Partizanit ka reaguar në lidhje me ngjarjet e ndodhura në derbin e djeshëm kundër Tiranës. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, klubi i kuq citon banderolat e tifozëve të Tiranës si skandaloze, agresionin fizik ndaj tifozëve të kuq dhe hedhjen e sendeve të forta.

Partizani e cilëson si akt terrorist të mbetur në tentativë planin e rrezikshëm me arkën e fishekzjarrëve të fshehura afër tribunës ku qëndronin Guerrils. “Do tëndodhte një tragjedi me përmasa të frikshme”, lexohet në deklaratën e Partizanit.

Në fund ka dhe një thumbim ndaj homologëve bardheblu për mosreagimin dhe thirrje kundrejt organeve ligjzbatuese që të hetojnë gjithë ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë autorët dhe bashkëpunëtorët. /abcnews.al

REAGIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT 

Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv.

Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent. 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!