Protesta e paralajmëruar e 20 Shkurtit si shpresë e fundit për mbijetesë politike e dha sinjalin e saj. Mungesa e mbështetjes për një proteste e cila synon të ngrejë mitin e një politikani të korruptuar dhe dhunues të demokracisë, është një mesazh I qartë, se 20 Shkurti që ka rrëzuar shtator bronzi nuk mund të përdoret për të ngritur statuje rëre për politikanë që duhet të ishin harruar nga historia .
20 shkurti është dita simbol e rrëzimit të kultit të individit në politikën shqiptare. Partia që hyri në jetën politike të këtij vendi pikërisht me këtë gjest simbolik, pas 33 vitesh mblidhet sërish tanimë jo për të rrëzuar kultin e individit, port ë mbajtur gjallë kultin e një kufome politike, e cila po mban peng demokracinë shqiptare prej 33 vitesh.
33 vjet pas rrëzimit të një busti bronzi të Enver Hoxhës, opozitarët e Shqipërisë, mblidhen si shoqata e “Vullnetarëve të Enverit” të mbrojnë një kufomë politike dhe të mbajnë gjallë mitin e një politikani që është sanksionuar si minues I demokracisë, si familje hajdutësh që kanë përdorur pushtetin për tu pasuruar dhe si shantazhues të drejtësisë.
Të kujtosh 20 Shkurtin me motivin që të mbash në këmbë Sali Berishën, është fyerja reale që i bëhet ditës simbolike të rrëzimit të mitit të diktatorëve.
Më 20 shkurt opozita shqiptare ka rastin të bind shqiptarët se është ajo opozitë e vitit 1991 kundër idhujve të diktaturës dhe politikanëve që duan të qeverisin nga gjysmë shekulli. Më thjesht më 20 Shkurt ka rastin të “vras” Enverin e saj, dhe të dëshmojë se është një alternativë e re për Shqipërinë.
Fakti që shumica e opozitës ka braktisur sheshin është një shenjë e mirë, që tregon se ajo nuk pajtohet me “Enverin” e ri të saj. Por fakti që një pakicë e ka marr peng institucionin e opozitës, tregon se ata ende nuk e kanë rrëzuar të vdekurin e tyre.
20 Shkurti nuk është dita kur vajtohet për një udhëheqës 33 vjeçar, por dita kur ai hiqet zvarrë.