Partia e Presidentit të Ukrainës shënon fitore rekord

schedule11:10 - 22 Korrik, 2019

schedule 11:10 - 22 Korrik, 2019

Fitorja e radhës ajo e së dielës për presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky. Partia e këtij të fundit fitoi me një rezultat historik në zgjedhjet e përgjithshme në vend. Por pavarësisht kësaj, Zelenski ka nevojë për një aleat pasi nuk ka mazhorancën e plotë në parlament.

Ukrainasit i kanë dhënë Presidentit të tyre filo – perëndimor, Zelensky, një mandat për të rinisur politikën e vendit. Sipas rezultateve ish aktori komik ka marrë 43.9 për qind të votave. Partia “Shërbëtor i Popullit”, regjistron në këtë mënyrë një rezultat rekord në zgjedhjet parlamentare të së dielës, që nga moment kur Ukraina ka marrë pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Me 11.5 për qind të votave ka ndaluar partia e manjatit Viktor Medvedchuk, i konsideruar një njeri shumë i afërt me presidentin rus Putin dhe mbështetës i autonomisë për zonat e kontrolluara nga rebelët filo rusë në Ukrainën lindore. Për Zelensky kjo është një fitore e dytë pas asaj të muajit prill kur mundi presidentin e atëhershëm Petro Poroshenko. Partia e këtij të fundit, Solidariteti Evropian, nuk mori as 10 për qind të votave.

Në reagimin e tij të parë pas publikimit të rezultateve, presidenti ukrainas Zelensky u shpreh se ky ishte një rezultat që tregonte besimin e madh që populli ukrainas kishte në partinë e tij. Më pas ai shtoi se ndër prioritetet e tij renditeshin ndalimi i luftës, lirimi i të burgosurve dhe lufta ndaj korrupsionit.

Por dhe pse një rezultat i jashtëzakonshëm ky mund të mos mjaftojë për një mazhorancë të fortë, duke detyruar Zelensky që të zgjedhë një aleat. Nga 424 vende në parlament, 225 do të zgjidhen në mënyrë proporcionale me pragun e 5%, pra duke u mbështetur në rezultatet e çdo partie./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!