Partia Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

schedule23:51 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 23:51 - 4 Dhjetor, 2021

Partia Alternativa, të shtunën, më 4 dhjetor, vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kjo parti, me 4 deputetë, i ka siguruar shumicën parlamentare partive në pushtet, të cilat pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa, kishte mbetur me 60 deputetë, aq sa kishte edhe opozita.

Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj ishin edhe nënshkrues të nismës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, më 11 nëntor.

Hyrjen në Qeveri partia Alternativa e arsyetoi me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian.

“Alternativa ka vendosur të jetë pjesë e shumicës parlamentare dhe të jetë pjesë e Qeverisë. Vlerësojmë se mbyllja e kontestit me Bullgarinë, nuk është vetëm se qëllim shtetëror, por edhe shqiptare, pasi me mbylljen e kësaj çështjeje, hapet rruga e integrimit evropian”, tha zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.Murtezani nuk tregoi se çfarë pozitash do t’i takojnë kësaj partie, pasi për këtë, siç tha ai, do të bisedojnë të dielën, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, si dhe pritet të ketë dy apo tre poste të zëvendësministrave dhe drejtoritë që më parë i udhëhiqnin kuadro të lëvizjes Besa.

Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar.

“Alternativa tre herë shkeli marrëveshjen për koalicion duke zhvilluar bisedime me Zaevin edhe pse në nenin 6 të marrëveshjes që kishim firmosur, thuhej se palët kishin rënë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në reagimin e partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët.

Vendimi i Alternativës është kritikuar edhe nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, e cila ka thënë se kjo parti “do të jetë humbësja më e madhe, pasi gjithë kohën kishte kritikuar pushtetin për krim dhe korrupsion ndërsa tani vendos të bëhet pikërisht pjesë e strukturave të tilla kriminale”.

VMRO-DPMNE tha se beson se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, vendimi i Alternativës që të jetë pjesë e ekzekutivit, i hap rrugën zgjedhjes së Qeverisë së re apo zyrtarizimit të dorëheqjes së kryeministrit, Zoran Zaev, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor pas disfatës së partisë së tij, Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.Organet e kësaj partie kishin shtyrë dorëheqjen e Zaevit për t’i dhënë atij mundësinë që të zhvillojë bisedime me partitë tjera për sigurimin e shumicës parlamentare, me qëllim që të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zaevi ka deklaruar se nuk dëshiron që në Maqedoninë e Veriut të thellohet kriza politike, në kohën kur vendi është ende optimist se në dhjetor do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Zaev ka paraqitur dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Zgjedhjet për kryetar të LSDM-së do të mbahen më 12 dhjetor dhe kryetari i ri i saj pritet të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!