Parlamenti miraton qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut, opozita largohet nga salla pas votimit

schedule07:37 - 31 Gusht, 2020

schedule 07:37 - 31 Gusht, 2020

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka votuar mbrëmjen e djeshme pak para mesnate kabinetin qeveritar të udhëhequr nga  Zoran Zaev.

62 deputetë të shumicës parlamentare votuan pro, 51 ligjvënësit e opozitës ishin kundër ndërsa nuk pati abstenime.  Opozita u largua nga salla menjëherë pas aktit të votimit.

Kryeministri Zaev tha gjatë fjalës së tij se qeveria do të punojë për një standard më të mirë ekononik për qytetarët. Ai foli edhe për investime në sistemin shëndetësor dhe në fusha të tjera

Do të punojmë për një sistem gjyqësor, të cilit do t’i besojnë qytetarët; që do të ndajë drejtësi të barabartë për të gjithë, në mënyrë të efektshme, transparente dhe të përgjegjshme .

Tash nuk kemi më çështje të hapura etnike në vend, por të gjithë jemi të barabartë”, tha zoti Zaev.

Deputetët e opozitës, si maqedonase edhe shqiptare, thanë se koalicioni i shumicës parlamentare shquhet për mashtrime dhe për manipulimin e votuesve. Ata e akuzuan Zaev dhe partinë e tij LSDM për tradhti ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase për shkak të ndryshimit të emrit të vendit.

Si ndahen postet në qeverinë e re

LSDM-ja ka 11 poste në qeverinë e re: Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, për Çështje Evropiane, të Shëndetësisë, të Arsimit, Kulturës, Politikës Sociale, Transportit dhe Lidhjeve dhe atë të Luftës kundër korrupsionit.

BDI do të drejtojë Punët e Jashtme, Financat, Ekonominë, Ambientin Jetësor, Sistemin Politik dhe Administratën Publike. Ministria e Bujqësisë i është lënë Lëvizjes Besa, e cila në zgjedhje doli në koalicion me LSDM-në./abcnews.al