Parlamenti i Ukrainës miraton projekt-ligjin e diskutueshëm të rekrutimit

schedule12:26 - 11 Prill, 2024

schedule 12:26 - 11 Prill, 2024

Parlamenti ukrainas miratoi sot, sipas deputetëve, një projekt-ligj të diskutueshëm të rekrutimit.

“U krye! Ligji i rekrutimit u miratua. 283 (deputetë votuan) pro ”, raportoi deputeti Oleksiy Goncharenko në Telegram.

Ukraina, e përballur me mungesën e ushtarëve vullnetarë, kishte punuar për muaj me radhë në tekstin e diskutueshëm pas më shumë se dy vitesh luftë kundër pushtuesit rus.

Projektligji, i cili kryesisht parashikon rritjen e dënimeve për mosbindjen, shkaktoi skandal për shkak të tërheqjes në minutën e fundit të një neni për çmobilizimin e ushtarëve që kanë shërbyer 36 muaj, një goditje e rëndë për ushtarët që kanë luftuar në front për më shumë se dy vjet.

Ushtria ukrainase, e dobësuar nga një kundërofensivë e dështuar gjatë verës së vitit 2023 dhe ndihma perëndimore në pakësim, po përpiqet të shmangë sulmet ruse në fronte të ndryshme.

Për ta bërë këtë, ka nevojë për burra dhe municione. Duke u përballur me vështirësi në gjetjen e vullnetarëve, Ukraina uli moshën nga 27 në 25. Tani e tutje, dënimet për ata që përpiqen të shmangin rekrutimin do të jenë të rënda. Projektligji gjithashtu lehtëson procedurat e rekrutimit duke krijuar një sistem dixhital.

Për të hyrë në fuqi, Kryetari i Dhomës duhet ta dërgojë tekstin tek presidenti Volodymyr Zelensky, i cili do të duhet ta nënshkruajë atë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!