Parlamenti i Indisë debaton mocionin kundër kryeministrit Modi

schedule14:48 - 8 Gusht, 2023

schedule 14:48 - 8 Gusht, 2023

Opozita e Indisë ka akuzuar kryeministrin e vendit, Narendra Modi, se zgjodhi heshtjen ndërkohë që një shtet verilindor i qeverisur nga partia e tij, është tronditur nga dhuna etnike. Parlamenti ka filluar debatin, të martën, mbi një mocion mosbesimi kundër qeverisë së tij, i cili pritet të mos kalojë.

“Nëse Manipuri digjet, India digjet. Nëse Manipuri ndahet, India ndahet”, ka thënë ligjvënësi i Partisë së Kongresit, Gaurav Gogoi, teksa hapi debatin mbi mocionin.

Për tre muaj, Modi nuk ka komentuar mbi trazirat në shtetin e largët. Manipuri është në prag të një lufte civile dhe opozita po kërkon që Modi ta deklarohet për konfliktin në Manipur nga foltorja e Parlamentit. Ai pritet të flasë kur mocioni të hidhet në votim.

Udhëheqësi i lartë i opozitës Rahul Gandhi, gjithashtu pritet të flasë, të martën, një ditë pas rikthimit të tij në parlament. Parlamenti i Indisë është bllokuar nga një ngërç intensiv prej javësh për shkak të krizës në Manipur.

Seancat që mbaheshin thuajse çdo ditë, janë ndërprerë, për shkak të protestave dhe sloganeve të opozitës. Më shumë se 150 vdekje janë raportuar në Manipur dhe mbi 50 mijë njerëz janë larguar nga frika, derisa përleshjet vazhdojnë.

Kritikët thonë se qeveria ka folur shumë pak publikisht mbi situatën në Manipur dhe planet e tyre për ta zgjidhur atë.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, vizitoi shtetin në maj dhe zhvilloi bisedime me krerët dhe grupet e komunitetit, por dhuna ka vazhduar pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe pranisë së madhe të ushtrisë.