Parlamenti Evropian rihap dyert mes protestave dhe mosmarrëveshjeve

schedule18:30 - 2 Korrik, 2019

schedule 18:30 - 2 Korrik, 2019

Parlamenti Evropian rifilloi punimet ditën e martë mes protestave dhe kontestimeve. Sidoqoftë, gjatë punimeve spikatën emrat e ministres gjermane të Mbrojtjes, Fon der Lejen dhe kryeministrit belg Mishel për postet e kreut të Komisionit dhe Këshillit Europian.

Parlamenti Europian rihapi dyert të martën në Strasburg, me një protestë anti-BE të mbajtur nga partia britanike pro Breksit dhe një demonstratë nga nacionalistët katalanas, ligjvënësve të të cilëve u ndalohet aksesi në PE.

Sesioni i parë pas zgjedhjeve euro-parlamentare të mbajtura në maj nisën pasi liderët e BE-së mbajtën një samit treditor mbi personat që do të mbajnë postet kyçe të Komisionit Europian dhe jo vetëm. Gjatë punimeve doli në sipërfaqe një plan për emërimin e ministres së Mbrojtjes gjermane Ursula fon der Lejen si presidente të Komisionit.

Fon der Lejen po shqyrtohet si personi që mund të mbajë postin kryesor, ndërsa kryeministri belg Sharls Mishel po konsiderohet për rolin e presidentit të Këshillit Europian. Kjo, sipas edicioneve online të “Di Velt” dhe mediave të tjera. Ndërkohë, Kristinë Lagard po shihet si personi që mund të mbulojë postin e kreut të Bankës Qendrore Europiane.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar shërbeu si ministre e Ekonomisë së Francës gjatë presidencës së Nikolas Sarkozi. Seanca u zhvillua pasi liderët e BE-së ishin mbledhur për ditën e tretë rresht në Bruksel, ku qarkullonin zëra se ishte arritur një kompromis për caktimin e liderit të laburistëve holandezë Frans Timermans në postin e kreut të Komisionit dhe politikanen bullgare të qendrës, Kristalina Georgieva në atë të kreut të Këshillit Europian.

Por planet u prishën pasi katër shtetet e Vishegradit, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia bllokuan emërimet me mbështetjen e Italisë. Zgjedhja e emrave për postet kyçe në BE ka qenë gjithmonë një proces i vështirë, por këtë herë ai është edhe më problematik pasi zgjedhjet euro-parlamentare të majit u hoqën influencën dy grupeve politike më të mëdha, Partisë Popullore Europiane dhe Social-Demokratëve. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!