Parlamenti Europian voton në mini-plenare rezolutën për Shqipërinë

schedule14:22 - 18 Maj, 2022

schedule 14:22 - 18 Maj, 2022

Nga Erisa Zykaj

I mbledhur në Bruksel në seancë mini-plenare, Parlamenti Europian pritet të mbështesë me shumicë të gjerë raportin e eurodeputetets Isabel Santos mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e reformave të integrimit europian gjatë vitit 2021. Në këtë raport, Parlamenti Europian i kërkon Këshillit të Bashkimit Europian të hapë me shpejtësi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Sipas Parlamentit Europian, moshapja e negociatave përbën një kërcënim serioz për politikën e zgjerimit dhe dëmton reputacionin e Bashkimit Europian si partner i besueshëm dhe aktor serioz gjeopolitik në sytê e opinionit publik.

Këshillit të BE-së i kërkohet të marrë vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shpejt në dritën e kontekstit gjeostrategjik të luftës në Ukrainë, dhe në veçanti aktiviteteve keqdashëse në rajonine Ballkanit Perëndimo, që synojnë cënimin e integrimit më të thellë të rajonit në BE dhe stabilitetin e tyre politik. Më poshtë një përmbledhje e shtyllave kryesore të rezolutës:

Institucionet demokratike

Parlamenti shpreh shqetësimin e tij të thellë që një klimë e polarizuar politike dhe mungesa e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet partive vazhdojnë të pengojnë procesin demokratik në Shqipëri. Rezoluta mirëpret të gjitha përpjekjet përpara zgjedhjeve parlamentare të 2021, që kanë rikthyer partitë opozitare në Kuvend, por shpreh keqardhjen për ndryshimet jokonsensuale të kushtetutës dhe ligjit zgjedhor të bëra nga shumica qeverisëse përpara këtyre zgjedhjeve.

Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, qeverisë shsiptare i kërkohet të çojë përpara decentralizimin, modernizimin dhe depolitizimin e shërbimit civil në mbarë vendin. Në rezolutë thuhet, se nevojitet konsolidimi i reformës administrative territoriale për sigurimin e autonomisë fiskale në nivel vendor dhe fuqizimin e bashkive për të ofruar shërbime publike me cilësi të lartë. Nënvizohet gjithashtu, se nevojitet përmirësimi i transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirja përmes forcimit të kapacitetit të këshillit kombëtar të shoqërisë civile, veçanërisht për çështjet mjedisore, projektet e rindërtimit dhe urbanizimit.

Media dhe shoqëria civile

Parlamenti Europian ve në dukje nevojën urgjente për të forcuar lirinë e shprehjes, pavarësinë dhe pluralizmin e medias në Shqipëri. Parlamenti nënvizon, e Shqipëria ka rënë tetë vende në renditjen botërore të lirisë së shtypit nga Reporterët pa Kufij që nga viti 2018. Parlamenti Europian bën thirrje për ndalim të presioneve të drejtpërdrejta apo të tërthorta politike dhe financiare ndaj medias, që mbytin seriozisht lirinë e medias, nxisin autocensurën dhe minojnë seriozisht përpjekjet për të hedhur dritë dhe për të raportuar mbi çështjet e krimit dhe korrupsionit në pavarësi të plotë.

Në rezolutë, kërkohet përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve duke konsoliduar mbrojtjen e të drejtave sociale dhe të punës, si dhe miratimi i rregulloreve që forcojnë transparencën mbi pronësinë e medias dhe burimet e financimit. Rezoluta nënvizon, se çdo rishikim nga Kuvendi i Shqipërisë i ligjeve të medias duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të kryhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në konsultim me organizatat mediatike, Parlamenti Europian rithekson shqetësimet e tij serioze në lidhje me ‘paketën anti-shpifje’ dhe mirëpret që Kuvendi i Shqipërisë ka nisur një proces rishikimi të ligjeve aktuale në lidhje me këtë.

Bëhet thirrje për krijimin e një mekanizmi të vetërregullimit të medias dhe theksohet nevoj për të siguruar funksionimin e paanshëm të Autoritetit të Mediave Audiovizive, si dhe kryerjen e reformës për transmetuesin publik. Për Parlamentin Europian, Agjencia e re e Medias dhe Informacionit nuk duhet të pengojë aksesin e barabartë të gazetarëve në informacion nga burime qeveritare dhe inkurajohet aksesi përmes kanaleve zyrtare dhe formale, si konferencat për shtyp dhe intervistat.

Të drejtat themelore
Parlamenti Europian i bën thirrje Shqipërisë të zbatojë plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias duke kryer një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të pronësisë së tokës nëpërmjet një konsolidimi transparent të procesit të kompensimit dhe regjistrimit të tokës.

Ky institucion shpreh shqetësim të thellë për rrjedhjet masive të të dhënave personale dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare të rrisin parandalimin dhe të vendosin para përgjegjësë autorët për keqpërdorimin e të dhënave. Në këtë kontekst kërkohet të përshpejtohet përafrimi i rregullave të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale. Autoriteteve shqiptare u kërkohet të marrin masa kundër të gjithë dhunës seksuale, kryesisht ndaj vajzave dhe veçanërisht ndaj fëmijëve, duke përfshirë fëmijët jashtëzakonisht të cënueshëm, përfshirë refugjatë dhe migrantë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Parlamentin Europian, përshëndet procesin e Vettingut në gjirin e forcave të rendit dhe sugjeron që Shqipëria të shqyrtojë verifikimin e rregullt të integritetit të punonjësve të policisë. Nënvizohet nevoja për ndjekjen e akuzave kundër policisë për sjellje të pahijshme, hetimin e përdorimit joproporcional të forcës dhe ndjekjen penale e fajtorëve. Parlamenti Europian kujton nevojën për të mos lënë të pandëshkuar krimet e kryera gjatë epokës komuniste, për të hetuar zhdukjet me forcë, për të ndjekur penalisht personat përgjegjës dhe për të ofruar dëmshpërblim për të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Bëhet thirrje gjithashtu për progres në reformën e sistemit penitenciar dhe ndjekjet penale lidhur me numrin e madh të trafikimit të armëve të zjarrit të vogla dhe të lehta, që përbëjnë shqetësim për këtë institucion.

Drejtësia dhe korrupsioni

Parlamenti Europian vëren se Shqipëria renditet 27 më poshtë në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International në vitin 2021, krahasuar me vitin 2016. Ky institucion shpreh shqetësim për mungesën e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies për prokurimet publike, shpenzimet e ndihmës së huaj gjatë pandemisë dhe kërkon që këto mangësi të korrigjohen shpejt.
Rezoluta përshëndet përparimin e qëndrueshëm të bërë në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, veçanërisht zgjatjen e mandatit të organeve të Vetting deri më 31 dhjetor 2024. Mirëpret faktin që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë bërë sërish funksionale, gjë që duhet të përmirësojë aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe të përshpejtojë proceset gjyqësore. Në këtë kuadër, Parlamenti Europian thekson nevojën për të marrë masat e nevojshme për të eliminuar efektet kolaterale të reformës në drejtësi.

Parlamenti Europian përshëndetet punën e SPAK dhe vëren se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur më tej konfiskimet e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprat penale të lidhura me korrupsionin. Në rezolutë shprehet qartësisht keqardhja, që dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë janë ende të kufizuara, gjë që për Parlamentin Europian nxit një kulturë të mosndëshkimit.

Në rezolutë inkurajohet korrigjimi i shpejtë i mangësive në trajtimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe “Rekomandimet e Moneyval” dhe në zbatimin e plotë të legjislacionit të ndryshuar së fundmi në përputhje me rregullat e BE-së për këtë çështje.
Parlamenti Europian mirëpret angazhimin e rinovuar konstruktiv të SHBA në Ballkanin Perëndimor për luftën kundër korrupsionit, përfshirë urdhrin ekzekutiv presidencial të SHBA-së që sanksionon personat që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, si dhe masat e marra ndaj individëve dhe subjekteve që kanë kryer akte korrupsioni. Rezoluta i bën thirrje BE-së që të vlerësojë me kujdes mundësinë e përafrimit me masat e SHBA.

Reformat socio-ekonomike

Parlamenti Europian thekson se thjeshtimi dhe modernizimi i sistemit tatimor dhe përmirësimi i mbledhjes së taksave do të lehtësonte menaxhimin e shpenzimeve publike dhe të deficitit në një kontekst të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Në rezolutë, thuhet, se përmirësimi i qeverisjes, transparenca, siguria ligjore, mosdiskriminimi dhe dialogu social janë kyçe për nxitjen e investimeve të huaja direkte dhe mbajtjen e punëtorëve të kualifikuar në vend. Rezoluta inkurajon gjithashtu autoritetet shqiptare të reduktojnë rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social duke përmirësuar aksesin në shërbimet sociale, arsimore dhe shëndetësore. Rezoluta rekomandon fuqimisht vendosjen e të ardhurave minimale të jetesës për të reduktuar rrezikun e varfërisë, shpreh keqardhjen që në vitin 2021 buxheti i ndarë për arsimin përfaqësonte vetëm 2.7% të PKB-së Shqipërisë dhe bën thirrje për investime më të mëdha në modernizimin e sistemit.

Parlamenti Europian rikujton, se dondet e paraanëtarësimit (IPA III) shoqërohet nga një klauzolë e rreptë kushtëzimi, sipas së cilës financimi duhet të modulohet, apo edhe të pezullohet, në rast të një regresi të konsiderueshëm ose mungesës së zgjatur të progresit në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias.

Në rezolutë nënvizohet, se se është në interes të sigurisë së BE-së dhe përgjegjësisë së saj të sigurojë që fondet e BE-së të mos kontribuojnë në korrupsion dhe të krijojnë një kornizë për bashkëpunim efektiv me Zyrën e Prokurorit Publik Evropian.

Mjedisi, energjia dhe transporti
Parlamenti Europian përshëndet përcaktimin e Vjosës si park natyror, por i kërkon autoriteteve shqiptare që t’a kthejnë atë në Parku Kombëta, duke mbuluar të gjithë lumin. Rezoluta shpreh shqetësim për rishikimin e hartës së rrjetit të zonave të mbrojtura, e cila nuk mund të kontribuojë në degradimin e mjedisit në zonat e pasura me biodiversitet dhe të kërcënuara bregdetare e ligatinore të Shqipërisë.

Rezoluta u bën thirrje autoriteteve të kenë prioritet monitorimin e ndotjes së ajrit, ndotjes akustike dhe të cilësisë së ujërave sipërfaqësore. Në rezolutë kërkohet, që strategjia kombëtare e menaxhimit të mbetjeve për 2018-2035 të rishikohet dhe të rifokusohet në metodat më të avancuara të riciklimit, në përputhje me standardet e BE-së.

Thekson nevoja e përdorimit të teknologjisë moderne të filtrave për impiantet e djegies derisa të vendoset një strategji gjithëpërfshirëse riciklimi me qëllim që të reduktohet dëmtimi i shëndetit dhe mjedisit. Në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural kërkohet ngritja e një sistemi të besueshëm për konsultimin e grupeve të ndryshme të interesit në zonat rurale. Rezoluta përshëndet projektet që do financohen nga BE-ja, ku përfshihet termocentrali i parë diellor lundrues në Shqipëri në rezervuarin e Vaut të Dejës; rikonfirmon rolin e lidhjes hekurrudhore Tiranës-Podgorica, ndërlidhjes elektrike Elbasan-Manastir dhe gazsjellësin Fier-Vlorë në sistemin e ndërlidhjes rajonale.

Në rezolutë mirëpritet gjithashtu fillimi i punës për ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të energjisë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Tërhiqet vemendja se projektet si ai në portin e Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e prokurimit publik të BE-së të përcaktuara në marrëveshjen e stabilizim-asociimit (MSA).