Parlamenti Europian votoi me shumicë votash një rezolutë që kërkon ndryshime në projekt-buxhetin afatgjatë të BE-së, për të cilin kanë rënë dakort 27 vendet anëtare.
Ligjvënësit europianë përmes kësaj rezolute, kanë paralajmëruar se mund të mos e miratojnë buxhetin, duke bërë thirrje për negociata shtesë në mënyrë që ai të “përmirësohet”.
Mocioni kaloi me 465 vota pro, dhe 150 kundër.
Më 21 korrik udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord për një paketë të ndihmës ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar vendet në periudhën e pas pandemisë së koronavirusit.
Marrëveshja u arrit në ditën e katërt të bisedimeve në Bruksel, të cilat u përcollën me mospajtime rreth shpërndarjes së fondeve.
Por, Komisioni Europian dhe shumë eurodeputetë u shqetësuan që shumë prej përparësive të tyre në buxhetin shumëvjeçar u shkurtuan dhe disa plane të shpenzimeve u pezulluan.
“Ne mendojmë se ky buxhet nuk është i përshtatshëm për sfidat e shtatë viteve të ardhshme”, tha Manfred Weber, drejtuesi i bllokut parlamentar të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian.
Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, i cili ndihmoi në arritjen e marrëveshjes u kishte kërkuar eurodeputetëve që ta mbështesin atë./abcnews.al