Parisi goditet në zemër, e gjithë bota sytë tek ai

schedule23:29 - 15 Prill, 2019

schedule 23:29 - 15 Prill, 2019

Francezët e gjithë Evropa dhe mbarë bota i kanë sytë nga zjarri që ka përfshirë katedralen e famshme “Notre Deme de Paris”. Kryeqyteti francez ka marrë një goditje në zemër të tij, ku flakët përpinë dhe  shkatërruan çatinë madhështore të katedrales Notre Dame.

Pamjet e transmetuara nga mediat botërore u shoqëruan edhe me informacionin se flakët erdhën nga shkaqe aksidentale, ndërkohë që në katedralen 850-vjeçare të rrethuar nga skela gjigande, po kryheshin punime për restaurimin e saj.

Operacioni për shuarjen e flakëve ndërkohë, siç raportuan mediat, u përqendrua në pjesën e poshtme, ndërsa shumë zjarrfikës u ngjitën në skelë për të luftuar me flakët.

Katedralja e Notre Damit, të cilës i është kushtuar edhe një roman i shkrimtarit Viktor Hygo, i përshtatur më pas edhe si film dhe mjuzikëll, është një ndërtesë e stilit gotik që çdo vit vizitohet nga 30 milionë turistë. Para syve të tyre këtë të hënë është shembur një nga kulmet e krenarisë së Francës, por edhe të botës./abcnews.al