Parime apo vota? Vëllai i subjektit të OFL te PD, Rushaj: Ndryshon nga Xhafaj, aleatët na detyruan

schedule18:12 - 9 Mars, 2021

schedule 18:12 - 9 Mars, 2021

Drejtuesi i fushatës së PD-së Alfred Rushaj, i treti në listën e qarkut të Tiranës i ftuar në një bisedë në studion e ABC-së me gazetarin Endri Xhafo zbardhi metodologjinë e caktimit dhe renditjes së listave në të gjitha qarqet që u dorëzuan mbrëmë në KQZ. Në listat e PD-së ka disa emra të përfolur në media për shkak të tyre apo familjarëve lidhur me ligjin, apo kapërcimet politike.

Në tetor 2018 Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm pas sulmeve nga opozita lidhur me vëllanë, por si e justifikon Rushaj tani faktin, që në Berat të dytin në listë ka futur Kasem Mahmutajn, vëllai i Gazmend Mahmutajt, subjekt i OFL-së, i dënuar në Itali?

Për drejtuesin e fushatës së PD-së, rastet nuk janë të njëjta. “Unë di që Kasemi nuk është vetë subjekt i asnjë lloj procesi, ka kaluar në disa filtra, nuk rezulton që të ketë, ka një profil dhe eksperiencë publike të gjatë, nuk rezulton që të ketë shkelur asnjëherë ligjin” tha ai.

Ka një ndryshim shumë të madh me Xhafajn. Që ti të vesh në një post ekzekutiv, në kulmin e lulëzimit të tregtisë së drogës, ministër të Brendshëm një person që qartësisht ka ndihmuar apo ka lidhje me të vëllanë i dënuar për trafik droge, nuk më rezulton që të jetë diçka as morale dhe as e duhur, për t’u dhënë sinjal qytetarëve që do të luftojmë trafikun e drogës. Ka një diferencë shumë të madhe mes njërit dhe tjetrit rast” tha ai.

Por cfarë garancie ka që subjekti i OFL-së nuk do të hedhë paratë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm te fushata e të vëllait? “Si mendon se kjo qeveri që ka vendosur cdo gjë në funksion të baltosjes, mendon se nuk do i ndjekë këto situata, ata me zor presin, kanë rrëmuar për ndonjë lidhje të largët, jo më te financimi”. Rushaj tha se nuk beson se kjo do të ketë kosto politike. “Edhe Rama vetë nuk e ka akuzuar dot për lidhje me krimin PD-në dhe Bashën”.

Rasti i dytë është ish-kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj. “Probleme me ligjin? Në dijeninë time jo, e ka mbyllur të plotë mandatin në bashkinë e Mallakastrës”.

Në listën e PD-së në Lezhë në pozicionin e katërt ndodhet Kastriot Piroli, i cili 4 vite më parë ishte në garë me PS-në, ndërsa tashmë ka kaluar te e djathta. Për këtë lëvizje, Rushaj ia lë “topin” strukturave. “Piroli ka qenë, vazhdon të jetë kontribuues në PD, ka marrë votat e strukturës së PD-së dhe është propozim i strukturës. Ai është përfaqësues i strukturës së PD-së në zonë, është vetuar nga strukturat e Kurbinit. E sollën vetë strukturat aty”.

Gjithashtu në listat e Lulzim Bashës ndodhen edhe dy emra të njohur, Artur Roshi dhe Korab Lita, që u futën në Kuvend duke thyer vendimin e PD-së në momentin e djegies së mandateve. Kjo lëvizje kundër parimeve a mund të ketë më shumë kosto se përfitim? “Korab Lita është propozimi i Ballit Liberal Demokrat, ka pasur diskutime. Ka pasur edhe negociata, padyshim mund të imponohemi aleatëve deri në një farë mase. Për ne cdo aleat respektohet” tha ai./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!