Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici ka folur sot për të ardhmen e dy yjeve të bardhezinjve, Alvaro Morata dhe Paulo Dybala.
Në rrëfimin e tij për Sky Sport ai la të kuptohej se Juve beson te Morata dhe dëshiron ta mbajë, ndërsa lë dyshime për Dybala, duke nënkuptuar se Juve nuk e plotëson dot dëshirën financiare të argjentinasit për shkak të krizës prej pandemisë.
“Morata? Është një situatë që ka disa dyer të hapura. Me Atletico Madrid kemi marrëveshje për ta blerë menjëherë ose për ta marrë sërish në huazim sezonin e ardhshëm. Morata ka dhënë dhe po jep shumë për skuadrën dhe ne po vëmë bast me të.
Ai është djalë serioz me një mentalitet të veçantë. Këto janë baza për të cilat gjithmonë kemi besuar te Alvaro. Dybala? Ne flasim çdo ditë me agjentin e tij, por nuk mund ta harrojmë momentin që po kalojmë. Nuk flas vetëm për futbollin, për biznesin dhe botën në përgjithësi.
Një vit më parë u duk se Covid-19 do të ishte një ndërhyrje disa mujore dhe vazhduam të luajmë me optimizëm të madh. Pastaj në shtator e tetor u kthyem dhe u zhytëm përsëri në negativitet, nga i cili nuk kemi dalë ende. Duhet të kemi ndjenjë përgjegjësie në të gjitha gjërat që bëjmë dhe kjo nuk qëndron vetëm për futbollin dhe Juventusin”, u shpreh Paratici. /abcnews.al