Paralajmëron republikani, McCaul: Aleanca Rusi-Kinë, kërcënimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore

schedule15:58 - 1 Shtator, 2023

schedule 15:58 - 1 Shtator, 2023

Kryetari i Komiteti për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA tha se është shqetësues partneriteti midis liderëve të Rusisë dhe Kinës, duke shtuar se “ne nuk kemi parë një kërcënim të tillë në shkallë të gjerë në Evropë dhe Paqësor që nga Lufta e Dytë Botërore.

Aleanca midis liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, “paraqet një prej sfidave më të mëdha për botën e lirë në këtë garë të madhe për pushtet në të cilën gjendemi”, tha republikani Michael McCaul gjatë vizitës në Suedi.

Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Qeverinë kineze për pasoja – të paspecifikuara – nëse mbështet përpjekjet e luftës së Kremlinit në Ukrainë.

Në një raport të inteligjencës amerikane u tha se Pekini ka ofruar pajisje të përdorura në Ukrainë, që mund të kenë pasur aplikime ushtarake. Raporti citoi të dhënat e doganave ruse ku thuhej se kontraktorët ushtarakë shtetërorë të Kinës kishin bërë furnizime me pajisje lundruese, pjesë për aviontë luftarakë, dronë dhe produkte të tjera.

Kina ka rritur blerjet e naftës dhe gazit rus, të ardhurat e të cilave ndihmojnë Qeverinë e Putinit, pasi SHBA-ja, Evropa dhe Japonia kanë hequr dorë pothuajse krejtësisht nga energjia ruse.

Kina ka refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

McCaul është pjesë e një delegacionit të Kongresit amerikan që po viziton Suedinë dhe ai u takua me ministrin e Jashtëm suedez, Tobias Billström, që tha se pret që ky shtet nordik t’i bashkohet NATO-s në tetor.

Suedia – shtet që për një kohë të gjatë ka mbajtur status neutral sa i përket çështjeve të mbrojtjes – aplikoi për anëtarësim, së bashku me Finlandën fqinje, më 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Finlanda është bërë pjesë e NATO-s, por Suedia ende po pret që aplikimi i saj për anëtarësim të miratohet nga parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!