Rreziku i urisë në Gaza po rritet çdo ditë dhe uria mund të fillojë në gjashtë javët e ardhshme, tha një zyrtar nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP).
“Ne po afrohemi çdo ditë me një situatë urie,” tha Gian Carlo Cirri, drejtor i WFP në Gjenevë. “Ka prova të arsyeshme që të tre pragjet e urisë – pasiguria ushqimore, kequshqyerja dhe vdekshmëria – do të kalohen në gjashtë javët e ardhshme.”
Cirri tha se e vetmja mënyrë për të shmangur një zi buke në Gaza ishte sigurimi i dërgesave të menjëhershme të furnizimeve ushqimore.
“Ne duhet të rrisim masivisht ndihmën tonë… Por në kushtet aktuale, kam frikë se situata do të përkeqësohet më tej. Konflikti e bën të vështirë dhe ndonjëherë të pamundur arritjen e njerëzve të prekur.”, tha ai.
Një raport i mbështetur nga OKB-ja i botuar në mars tha se uria ishte e pashmangshme dhe ka të ngjarë të ndodhë deri në maj në Gazën veriore dhe mund të përhapet në të gjithë enklavën deri në korrik.
Kombet e Bashkuara dhe disa organizata joqeveritare të ndihmës janë ankuar për pengesa në marrjen dhe shpërndarjen e ndihmave në të gjithë Gazën. Izraeli ka mohuar bllokimin e furnizimeve me ndihma humanitare dhe fajëson grupet e ndihmës për joefikasitet në shpërndarje./abcnews.al