Pak orë përpara zgjedhjeve, kreu i shtetit Ilir Meta u kërkon të gjithë zyrtarëve të shtetit brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë të zbatojnë ligjin dhe të qëndrojnë larg ndikimeve politike duke mos u bërë palë por të ruajnë integritetin.
Në postimin e tij, Presidenti ka edhe një paralajmërim se është gati për të marrë përgjegjësinë për çdo dekret në mbrojtje të zgjedhjeve.
“Kriminelët janë kudo të rrezikshëm. Por më të rrezikshmit janë kriminelët e veshur me uniformë, janë ata që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
Prandaj thirrini mendjes, zbatoni ligjin, qëndroni larg ndikimeve politike, mos u bëni palë dhe ruani integritetin e detyrës.
Përmbushni detyrën pa asnjë vonesë dhe mos e detyroni Popullin t’ju arrestojë në flagrancë përmes ligjit, që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar.
Presidenti i Republikës është gjithmonë me Kushtetutën dhe Sovranin.
Presidenti i Republikës është gjithmonë gati për të marrë përgjegjësinë për çdo Dekret në mbrojtje të Zgjedhjeve, Demokracisë dhe Popullit nga dhuna e oligarkisë!
Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë” shkruan Meta./ db/Abcnews.al