Paralajmëron Hoti: Kosova mund të përfshihet nga vala e dytë e Covid-19

schedule16:18 - 15 Qershor, 2020

schedule 16:18 - 15 Qershor, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se vendi mund të përfshihet nga vala e dytë e infektimeve nga koronavirusi.

Hoti ka thënë se në bazë të trendit të ditëve të fundit me raste të reja të infektimeve, ky rrezik është shumë real.

“Mund të preken edhe më shumë jetë njerëzish, do të thellohet kriza ekonomike, ndërsa do të stërngarkohet sistemi i shëndetësisë”, ka shkruar Hoti në në një postim në Facebook.

Më te, kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat mbrojtëse.

“Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta. Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve. Mbajeni distancën fizike. Nuk lejohet më shumë se 1 person në 8 metra katrorë në lokale. Pronarët e lokaleve janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.

Lehtësimi i masave për lëvizje të lirë ka qenë i domosdoshëm, por shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje sërish që t’i zbatoni me përpikmëri masat mbrojtëse.

Ne kemi hartuar një ‘Manual për mbrojtje nga përhapja e COVID-19’, ndërsa Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, do të angazhojë rreth 200 profesionistë shëndetësorë që do të monitorojnë zbatimin e këtyre masave”, përfundon Hoti.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!