“Azerbajxhani po planifikon luftë në shkallë të plotë kundër Armenisë”.
Tensionet midis dy fqinjëve të Kaukazit kanë mbetur të larta që kur Baku ripushtoi rajonin e populluar nga armenët të Nagorno-Karabakh shtatorin e kaluar në një ofensivë të rrufeshme ushtarake.
“Analiza jonë tregon se Azerbajxhani dëshiron të nisë veprime ushtarake në disa pjesë të kufirit me perspektivën e shndërrimit të përshkallëzimit ushtarak në një luftë në shkallë të plotë kundër Armenisë”, ka thënë Pashinyan në një mbledhje të qeverisë.
“Ky synim mund të lexohet në të gjitha deklaratat dhe veprimet e Azerbajxhanit”, shtoi ai.
Jerevani është i shqetësuar se Azerbajxhani është bërë “guximtar” pas suksesit në Karabakh, dhe mund të pushtojë territorin armen me qëllim që të krijojë urë tokësore në enklavën e Nakhçivanit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili fitoi zgjedhjet këtë muaj, ka thënë në një fjalim të mërkurën se ishte Armenia, jo Azerbajxhani, ajo që kishte pretendime të pazgjidhura territoriale.