Read More…

"/>

Paralajmërimi i shërbimit inteligjent britanik MI5 për “agjenten e infiltruar kineze” në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar

schedule00:39 - 14 Janar, 2022

schedule 00:39 - 14 Janar, 2022

Shërbimi inteligjent britanik MI5 ka lëshuar një paralajmërim të rrallë se një agjente e dyshuar kineze është infiltruar në Parlament për të ndërhyrë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar. Një alarm nga shërbimi i sigurisë tha se Christine Ching Kui Lee “krijoi lidhje” për Partinë Komuniste Kineze me deputetë aktualë dhe aspirantë. Më pas ajo u dha donacione politikanëve, me financime që vinin nga shtetas të huaj në Kinë dhe Hong Kong. Ky zbulim  vjen pas një hetimi “të rëndësishëm dhe afatgjatë” nga shërbimi inteligjent MI5, thanë burimet e Whitehall për “BBC”.

Një nga deputetët e financuar nga zonja Lee ishte Barry Gardiner nga laburistët, i cili mori mbi 420,000 paund prej saj në pesë vjet, por ai tha se gjithmonë i kishte vënë në dijeni shërbimet e sigurisë për donacionet. Udhëheqësi i Liberal Demokratëve Sir Ed Davey gjithashtu mori një donacion prej 5,000 paundësh kur ai ishte sekretar i energjisë, por ai tha se paratë u pranuan nga shoqata e tij lokale dhe ishte “hera e parë që i ishte dhënë shkak për t’u shqetësuar”.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha se ishte “thellësisht shqetësuese” që dikush “i cili është përfshirë me vetëdije në aktivitete të ndërhyrjes politike në emër të Partisë Komuniste Kineze ka vënë në shënjestër parlamentarët”. Por ajo tha se Mbretëria e Bashkuar ka marrë masa “për të identifikuar ndërhyrjen e huaja”. Shërbimi i sigurisë tha se kushdo i kontaktuar nga zonja Lee duhet të jetë “i ndërgjegjshëm për përkatësinë e saj” dhe “përgjegjësinë e saj për të çuar përpara axhendën e Partisë Komuniste Kineze”.

Sekretarja e Brendshme e Partisë Laburiste, Yvette Cooper, tha: “Ne dënojmë me termat më të ashpër përpjekjet e Kinës për të ndërhyrë në proceset demokratike të Britanisë”. Ajo tha se laburistët po kërkonin informacione të mëtejshme nga Zyra e Brendshme dhe MI5 mbi “shtrirjen e mashtrimit dhe ndërhyrjes dhe rreziqet e vazhdueshme të aktivitetit keqdashës nga shtetet e huaja”. Të gjithë deputetëve dhe kolegëve duhet t’u jepet një përditësim nga MI5 mbi rreziqet e sigurisë dhe si të ruhen nga ndërhyrjet, shtoi ajo.  / abcnews.al