Paralajmërimi i OBT: Lufta në Ukrainë do të përgjysmojë rritjen e tregtisë globale

schedule08:07 - 5 Prill, 2022

schedule 08:07 - 5 Prill, 2022

Lufta në Ukrainë ka bërë që Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) të ulë parashikimin e saj të rritjes së tregtisë globale për këtë vit. Parashikimi i mëparshëm i rritjes prej 4.7% është ulur në 2.5% për shkak të “ndikimit të luftës dhe të politikave që lidhen me të”, tha shefja e OBT-së, Dr. Ngozi Okonjo-Iweala.

Ky reduktim lidhet gjithashtu edhe me problemet e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit global, të cilat filluan si rezultat i pandemisë. Ajo tha se ndërprerjet që vijnë nga lufta do ta rrisin koston e ushqimeve, duke shtuar se “shqetësimi im më i madh është se po krijohet një krizë ushqimore”.

Dr. Okonjo-Iweala tha për BBC se megjithëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë vetëm 2.5% të eksporteve globale të mallrave, ato “janë shumë, shumë të rëndësishme për disa sektorë të caktuar”.

“Shqetësimi i parë, natyrisht, është për njerëzit e Ukrainës, të cilët po zhvendosen dhe nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë,” tha ajo.

Ajo shtoi se ekonomia globale “do të vuante disa pasoja të rënda” dhe vendet më të varfra do të ndjenin më shumë ndikimin e mungesave dhe “kufizimet e furnizimit me ushqime”. Furnizimet e shumë produkteve ushqimore, duke përfshirë grurin dhe misrin, janë ndikuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Grupet e industrisë kanë paralajmëruar se BE-ja do të përballet me mungesa të vajit të lulediellit. Në total, 46.9% e eksporteve globale të vajit të lulediellit vijnë nga Ukraina dhe 29.9% nga Rusia, sipas S&P Global, por për shkak të mbylljes së porteve të Ukrainës, eksportet kanë rënë ndjeshëm.

“Jam vërtet e shqetësuar për urinë e cila po afron, veçanërisht në vendet e varfra që nuk mund ta përballojnë këtë krizë,” paralajmëroi Dr. Okonjo-Iweala.

Duke përmendur Afrikën si një shembull, ish-ministrja nigeriane e financave tha se 35 nga 55 vendet e Afrikës importonin grurë dhe drithëra të tjera nga Rusia dhe Ukraina, ndërsa 22 prej tyre importonin plehra bujqësore.

“Puna që po bëhet nga Banka Afrikane për Zhvillim tregon se në shumë vende, çmimet e ushqimeve kanë filluar të rriten me 20% deri në 50%,” tha ajo.

Sidoqoftë, Dr. Okonjo-Iweala tha se shpresonte që ekzistonin zgjidhjet për problemet e furnizimit.

Ajo tha se në planin afatshkurtër, vendet mund të “ndryshojnë shijet e dietës së tyre”, duke konsumuar më shumë produkte të prodhimit vendas.

Në terma afatgjatë, ajo shtoi se Afrika po investonte në “varietetet e grurit dhe të kulturave të tjera që janë tolerante ndaj nxehtësisë “, pasi ajo po përshtatet me ndryshimet klimatike.

Përveç rritjes së çmimeve të ushqimeve, edhe kostot e mallrave të tjera kanë arritur nivele rekord për shkak të shqetësimeve se lufta dhe sanksionet ekonomike ndaj Rusisë do të sjellin ndërprerje të furnizimeve.

Industria minerare e Rusisë është shumë e rëndësishme për disa substanca të tilla si paladiumi, ku vendi është përgjegjës për 40% të prodhimit global të këtij metali thelbësor për prodhuesit e makinave.

Edhe para luftës në Ukrainë, pandemia kishte shkaktuar një mospërputhje midis ofertës dhe kërkesës në shumë industri, gjë që rriti shumë çmimet. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se rritja e inflacionit do të reduktojë rritjen ekonomike globale për këtë vit.

“Në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, mendoj se këto presione inflacioniste do të vazhdojnë,” tha Dr. Okonjo-Iweala.

Beteja tregtare me Rusinë

Tregtia është bërë një mjet kyç që shumë vende po përdorin për të ushtruar presion ndaj Presidentit Vladimir Putin mbi vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën.

Ukraina ka ndërprerë lidhjet ekonomike me Rusinë dhe ka bërë thirrje që ajo të pezullohet nga OBT për shkak të luftës. Megjithatë, asnjë vend nuk është përjashtuar ndonjëherë nga OBT, diçka që Drejtorja e Përgjithshme tha se “nuk është një gjë e lehtë për t’u bërë”.

Ajo tha se nuk ka asnjë mekanizëm për ta dëbuar Rusinë, pavarësisht se disa avokatë të rëndësishëm të fushës së tregtisë ndërkombëtare nuk pajtohen me këtë deklaratë. /Monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!